I hyn në shtëpi 20-vjeçares dhe tenton të përdhunojë, arrestohet 44-vjeçari në Lushnje
Një 44 vjecar u arrestua nga Policia e Lushnjes pasi tentoi të përdhunojë një 20 vjeçare në banesën e saj.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së martës, (9 shkurt 2021) në fshatin Zhamë-Sektor.
Ai është pikasur nga familjaret se donte të thyente derën e banesës dhe më pas është vënë në pranga.
Autori është identifikuar si Besim Hysllari, i cili sipas banorëve të zonës njihet si person me probleme të shëndetit mendor dhe përdorues i rregullt i alkoolit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan shtetasin B. H., 44 vjeç, banues në fshatin Zhamë-Sektor, Lushnjë, pasi dyshohet se ka hyrë në banesën e një shtetaseje 20-vjeçare dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të", shkruan Policia në njoftimin e saj.
44 vjeçari është vënë nën akuzë për "Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura" e mbetur në tentative.
Krimet seksuale kanë shënuar rritje në dy vitet e fundit, ku janë zbuluar edhe disa raste tronditëse të abuzimit me të mitura.
Më 31 janar, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në rrethin e Lushnjes ku një 36-vjeçar dyshohet përdhunoi gjyshen e tij 89-vjeçare.
Ngjarja u regjistrua në fshatin Grabjan. Saimir Meçani u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa tani po vijon përballjen me gjykatën.