S'e realizoi Rama, e premton Kryemadhi: 5 % të GDP-së arsimit, dyfishohen pagat e arsimtarëve
LSI prezantoi programin e saj për arsimin në qytetin e Elbasanit.
E ndërsa sot sfidat e vendit janë nga më të mëdhatë që kemi kaluar nga kriza e punësimit tek ndalimi i shpopullimit LSI e gjen zgjidhjen tek arsimi cilësor për të rinjtë dhe të rejat, si dhe dhe punësimi dinjitoz për ta.
Pjesë e programit është dhe vendosja në dispozicion të arsimit të 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kërkesë kjo e kërkuar me këmbëngulje dhe nga studentët në protestën e 2018.
Një kërkesë të tillë e premtoi Rama me ardhjen në qeveri në 2013 por nuk e realizoi dhe studentëve u tha se ishte e pamundur.
Kryetarja e LSI-së tha se kontribuuesit e këtij programi janë profesorë dhe profesionistë ,mësues e studentëve që janë angazhuar në hartimin e këtij program.
“Vullneti ynë politik në qeverisje do të fokusohet për ta bërë realitet këtë program, i cili është shumë i thjeshtë, shumë real, i prekshëm dhe shumë i mundshëm, në mënyrë të tillë që t’u krijojmë mundësinë të rinjve dhe të rejave tanë, që të kenë një arsim cilësor, një sistem arsimor të detajuar, por të prekshëm dhe të domosdoshëm për të ecur përpara dhe për të qenë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, jo vetëm në Rajon, por edhe më gjerë. “ tha Kryemadhi.
Programi i LSI-së
-Arsimi është në themel të programit dhe vizionit të LSI-së, pasi kushdo që mendon për të ardhmen, duhet të mendojë edhe për arsimin e të rinjve tanë. Një arsim cilësor, jo me fjalë, por ku në thelb të programit tonë ne kemi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
-Do taksohen me 1% të fitimit të tyre të gjitha kompanitë e mëdha, duke qenë edhe vetë ato përfituese me burime njerëzore, të cilët do të jenë të aftë për tregun e punës dhe në konkurrencë.
-Rritje dyfish të pagave për mësuesit.
-Ligji për Arsimin e Lartë do të shqyrtohet në bashkëpunim të ngushtë me vetë stafin akademik dhe studentët. Do të jenë ata që do ta hartojnë, do të jenë ata që do të krijojnë mundësinë për të pasur një universitet jo vetëm autonom, por edhe të pavarur politikisht, si dhe të ketë mundësinë e një pavarësie ekonomike, për të krijuar një universitet cilësor dhe konkurrent.
-Kurrikula të lidhura me ekonominë e vendit.
-Shpenzimet e studentëve synojmë t’i përgjysmojmë, të jenë të përballueshme jo vetëm për studentët shqiptar, por edhe për familjet e tyre.
-Punësim që në bankat e shkollës