Rrahja për vdekje e 57-vjeçarit, Gjykata e Fierit rivlerëson masat e sigurisë për 3 të arrestuarit
Tre burrat që rrahën për vdekje shokun e tyre Pelivan Sinarrapaj, u rikthyen në Gjykatën e Fierit për rishqyrtim të masës së sigurisë me kërkesë të prokurorisë pasi 57 vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve 9 ditë pas ngjarjes.
Prej aty Festim Alimetaj doli me pranga në duart, pasi gjyqtari Pirro Sota që më herët e kishte lënë në arrest shtëpi vendosi ta dërgojë në burg.
Ndërkohë Ferdinand Merkaj dhe Fitim Zekaj edhe ata pjesë e sherrit kanë mbetur jashtë qelisë, pasi gjyqtari rrëzoi kërkesën e prokurores për ti rikthyer ne qeli me masë sigurie “arrest me burg”.
Pasi 57 vjeçari Sinarrapaj ndërroi jetë Akuza për të tre është ndryshuar nga “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, në “Plagosje e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”.
Ndërsa ndryshimi i masës së sigurisë vetëm për Festim Alimetajn u bazua në pamjet e kamerave të sigurisë dhe raportin mjeko ligjor.
Sipas pamjeve Alimetaj është personi që godet i fundit 57 vjeçarin Pelivan Sinarrapajn, ndërsa Fitim Zekaj sipas pamjeve është tërhequr nga konflikti mes burrave.
Ngjarja e rëndë u shënua më 28 Janar në Ballsh, ku të tre autorët e dyshuar pranuan se ishin në gjendje të dehur.
Dy ditë pasi u arrestuan, gjyqtari i Piro Sota dha “arrest shtëpie” për dy prej autorëve, kurse për Fitim Zekajn “detyrim paraqitje” duke i konsideruar 3 personat pa rrezikshmëri të lartë.