Nisma Thurje regjistrohet në KQZ, Soko: 30 vjet hiq dhe vë shoferë, duhet të ndryshojmë makinën
Nisma Thurje do të regjistrohet nesër në KQZ si subjekt politik për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Një fakt të tillë e bëri me dije për Ora News një prej anëtarëve të saj, Pano Soko.
Soko: Nesër do të bëjmë regjistrimin e partisë. Do të paraqesim dokumentat në KQZ. Kemi një anëtar në parlament dhe aktualisht konsiderohemi si parti parlamentare. Nuk dorëzojmë firma, firmat i dorëzuam në gjykatë. Regjistrimin në gjykatë e bëmë me firma, ndërsa regjistrimin në KQZ do ta bëjmë nëpërmjet anëtares që kemi në parlament, zonjës Hajdari.
Po çfarë synon Nisma Thurje në këto zgjedhje? Soko thotë se misioni i saj pikësëpari është politik, ndryshimi i rregullave të lojës.
Soko: Ajo çfarë ne kërkojmë është një ndryshim rrënjësor, thellësor, thelbësor. Gjithmonë ping-pongjet e pushtetit kalojnë nëpër duar të cilat qëndrojnë sipërfaqësisht lart pa u futur asnjëherë te ajo që duhet ndryshuar me të vërtetë që jaë rregullat e lojës.Ne kërkojmë votën që të ushtrojmë mjaftueshëm presion në parlament me qëllim që të arrijmë atë që duam. Të gjithë ankohen 30 vjet ikën, 30 vjet kështu, 30 vjet ashtu. Çfarë ka ndodhur në këto 30 vjet? Na ka ecur makina shtrembër. Kemi ndërruar shoferët ne, hiq një shofer, vë një tjetër. Ky i fundit na erdhi megjithë timon dhe përsëri na ka ikur makina shtrembër. Problemin këtu e ka makina, nuk është te individi por te struktura e gjitha. Duhet filluar nga ndërtimi i një strukture që të ecë drejt aty ku duam të shkojmë. Nuk po themi që të jemi Zvicra që nesër, por të paktën të jemi me dinjitet. Të kemi një kreshendo të rritjes së cilësisë së jetës. Profili jonë parësor është politik, demokraci përfaqësuese më pak dhe demokraci pjesëmarrëse më shumë. Kodi elektoral të ndërtohet mbi parimin e demokracisë, ai që merr më shumë vota, ai shkon në parlament.
Aktivisti theksoi se Nisma Thurja do të vazhdojë të insistojë për hapjen e listave 100%.
Soko: Do të vazhdojmë luftën e lënë në mes për hapjen 100% të listave. Aktualisht lista nuk është hapur fare. Së dyti është çështja e referendumeve, duhet miratuar ligji që po mbahet peng me dashje. Jo vetëm referendumet kombëtare por edhe ato lokale.
Intervista me Matilda Mcinin, përgatiti Besjana Kuçana