Kurti: Unë dhe Osmani nuk do të qeverisim për tu pasuruar, do të vazhdojmë të jemi klasë e mesme

Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatja për deputete në listën e kësaj partie, Vjosa Osmani kanë vizituar sot qytetin e Shtimes në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Albin Kurti tha se me Osmanin kanë formuar një koalicion parazgjedhor dhe se nuk do të qeverisnin për tu pasuruar, duke premtuar se do të vazhdojnë që të mbeten klasë e mesme.

Kurti: Me presidenten Vjosa Osmani jemi bërë bashkë, e kemi realizuar koalicionin parazgjedhor. Andaj zgjedhjet e reja janë një referendum gjithëpopullor me që rast ne synojmë një fitore të madhe që ta bëjmë shumicën popullore, shumicë parlamentare. Nuk do të bëjmë koalicione paszgjedhore sepse i kemi bërë ato parazgjedhore. Nuk do të qeverisim për të ju sunduar, dhe nuk do të qeverisim për tu pasuruar. Do të vazhdojmë të jemi klasë e mesme.

Ndërkohë, Vjosa Osmani tha se Shtimja më nuk do të jetë bastion i PDK-së që aktualisht udhëheq me këtë komunë, por bastion i ndryshimit.

Osmani: Faleminderit për këtë mikpritje kaq të ngrohët. Kemi nderin që sot po ua dëshmoni të gjithëve që Shtimja nuk është bastion i atyre, por është bastion i ndryshimit. Faleminderit që po ua dëshmoni atyre që e ndalën Qeverinë e shpresës që nuk ka forcë që do na ndal më. Faleminderit që po e dëshmoni që kurrë më nuk do i lejoni që të ju mashtrojnë dhe të keqpërdorimin besimin e votën tuaj.