VIDEO/ Shpërthimi i fuqishëm në Athinë, kryeqyteti "pushtohet" nga errësira

Autoritetet në Greqi po hetojnë shkakun e shpërthimit në një nënstacion të tensionit të lartë që zhyti disa qytete të vendit në errësirë.

Rreth orës 23 të së dielës, re tymrash toksikë filluan të mbulojnë pjesë të kryeqytetit grek duke përhapur panik te banorët.

Për shkaqe ende të panjohura, transformatori i nënstacionit të Kumundurut i lokalizuar në perëndim të Athinës pësoi avari duke shpërthyer në flakë.

Mësohet se qendra me pajisjet elektrike është ndër më të vjetrat, e ndërtuar që në vitet 1970.

Ndërsa zjarri digjte pajisjet bashkë me lëndë dhe vajra të tjerë toksike përreth transformatorit, gjysma e banorëve të Atikës, shumë pjesë të Peloponezit, sikundër zona e Kallamatës, raportuan ndërprerje të rrymës elektrike.

Furnizimi me energji u ndal për 10 minuta edhe në qendrën e Athinës, ndërsa flakët në nënstacion u vunë nën kontroll nga disa brigada zjarrfikësish pak orë më vonë.

Nga incidenti i së dielës mbrëma nuk u raportuan të lënduar.