Ndrenika: Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë mbështetur nga Shqipëria

Publicisti Denion Ndrenika në një intervistë për Ora News ka thënë se shqiptarëve të Maqedonisë I ka munguar mbështetja nga Shqipëria.

Ndrenika ka vijuar më tej duke thënë se Tirana zyrtare nuk ka arritur të ushtrojë fuqinë e saj në këto zona, teksa shton se kjo sipas tij është një rrjedhë historike që ne nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë.

Ndrenika: Në vazhdimësinë tonë, sidomos pas viteve ’90 ne i kemi mbështetur zero shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Unë e kuptoj që nga pikëpamja e gjeostrategjisë apo edhe e gjeopolitikës shteti maqedonas është shumë i rëndësishëm për të mbajtur larg tre popujt më të mëdhenj të Ballkanit që janë grekët sllavët dhe shqiptarët. Nëse ne e zhbëjmë Maqedoninë ne tre popujt më të mëdhenj të Ballkanit puqemi në Shkup apo në Ohër.

Ne mund të pranojmë nga ana e gjeostrategjisë dhe të heshtim pak për shqiptarët e këtij shteti fqinj. Por ne nuk kemi arritur dot, veçanërisht Tirana zyrtare, që të ushtrojmë fuqinë tonë te shqiptarët e Shqipërisë lindore, që është shteti i sotëm i Maqedonisë. Mund të ketë marrëveshje shumë të mira me fqinjët për ti garantuar ata që ne nuk bëhemi pengesë për zhvillimin e tyre, por këtë nuk e bëjmë dot me Serbinë sepse është pengesa kryesore për të pasur fqinjësi të mirë dhe marrëdhënie të mira brenda përbrenda republikave. Unë e quaj si një rrjedhë historike që ne nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë.

Intervista në studio për gazetarin Sebastian Zonja, përshtati për online Tea Islamaj.