Rritje rekord e rasteve me Covid në jug, qytetarët neglizhojnë respektimin e masave
Jugu i Shqipërisë po përjeton një rritje të madhe të rasteve me koronavirus në dy javët e fundit.
Kreu i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Kujtim Llapi, shprehet se pozitiviteti është rritur ndjeshëm, ndërsa një ndër shkaqet kryesore është mosrespektimi i masave nga qytetarët.
"Ka një shtim të pozitivitetit, Vlora e ka pasur 30-32% dhe tani ka arritur në 54%."
Lorenc Rexho, kreu i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor për qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, thotë se në qytetin bregdetar të Vlorës 1 në 2 persona të testuar rezulton pozitiv.
"Situata për fat të keq nuk është e mirë. E them një çikë me hidhërim se njerëzit nuk janë akoma të ndërgjegjshëm që duhet të mbajnë maskat për këtë rrezik që po kalojmë."
Bluzat e bardha për qarqet e Jugut edhe pse në kontakt të përditshëm me virusin, ende nuk e kanë një datë të caktuar për vaksinimin, ndërkohë sipas ekspertëve, procesi i listave ka përfunduar dhe pritet ardhja e vaksinës.
Aktualisht qarku i Fierit ka 2607 qytetarë pozitivë më koronavirus, Vlora 1483, dhe Gjirokastra 628.