UET dhe UMT "bashkojnë forcat"

Në një kohë plot të papritura dhe sfida për shkak të pandemisë, Universiteti Europian i Tiranës nënshkroi të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës në kuadër të rritjes së cilësisë akademike, kërkimit shkencor, por edhe praktikave në fushat përkatëse të ofruara.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj shprehu vlerësimet e kësaj marrëveshje.

“Siç ju e dini Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike e kemi shumë të ri. Jemi në vitin e tretë  dhe megjithatë në Bachelor kemi tre programe, në Master Shkencor po ashtu, dhe në atë Profesional kemi vetëm një. Në këto vite kemi rreth 421 studentë që kanë ardhur në UET dhe për ne mbështetja juaj me përvojën që keni dhe me peshën e madhe që ka historia e këtij institucioni dhe me infrastrukturën, logjistikën apo burimet njerëzore është jetike," tha Prof. Gjuraj.

Sipas rektorit të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Prof. Dr. Arben Gjata shkenca nuk zhvillohet pa bashkëpunim.

“Faleminderit ju për interesin dhe gjithmonë mendoj që ajo që i dallon universitetet është bashkëpunimi. Edhe institucionet më të rëndësishme në botë që kanë konkurruar në Mjekësi përherë e kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit," u shpreh Prof. Gjata.

Gjuraj tha se janë gjithë sy e veshë për të mësuar nga përvoja e UMT-së.

 “Ne jemi syhapur dhe po dëgjojmë Universitetin e  Mjekësisë se si do të zhvillojë praktikat dhe provimet dhe të vijmë të marrim përvojën më të mirë dhe të shohim se si do të përshtatemi në këtë periudhë të vështirë, por që besoj se do t’ia dalim," vazhdoi Prof. Gjuraj.

Kjo marrëveshje vjen pas memorandumit të bashkëpunimit që u nënshkrua më 22 dhjetor mes UET-së dhe Universitetit të Tiranës, duke ngritur kështu siparin e një rrugëtimi të ri për arsimin e lartë në Shqipëri.