SPAK heton përgjimet e antimafias, Banushi: Materialet merren vetëm me letërporosi, jo dorazi

Gazetarja Keti Banushi në RTV Ora ka diskutuar në lidhje me nisjen e hetimeve për përgjimet e antimafias italiane, ku të përfshirë janë edhe disa figura politike shqiptare.

Banushi ka thënë se materialet mes prokurorisë së Shqipërisë dhe asaj të Italisë duhet të merren vetëm nëpërmjet letërporosive dhe jo dorazi.

Banushi: Prokurorët shqiptarë që kanë qenë të pranishëm në takimin e sotshëm kanë marrë të gjitha materialet. Materialet procedurialisht mund të jenë marrë edhe dorazi, por nuk kanë vlerën e provave. Materialet duhet të merren dhe me anën e letërporosive. Pala shqiptare i dërgon palës italiane nëpërmjet letërporosisë kërkesën për të marrë materialet. Ato përkthehen nga përkthyes të licencuar. Pra duhet nisur kjo procedurë.
E them me bindje që jemi në fillesat e kësaj çështje. Materialet që janë voluminoze duhet të përkthehen nga përkthyes të licencuar, duhet ti vihen në përdorim prokurorisë dhe SPAK-ut, pavarësisht takimit të tyre ditën e sotme, kjo nuk do të thotë asgjë në planin hetimor.

Ky i sotmi është thjeshtë një takim për të tërhequr vëmendjen. Me Italinë kemi një magjistratë kontakti që e kemi në Ministrinë e Drejtësisë dhe ai ka qenë personi që i është bërë kërkesa fillimisht, dhe ai ka organizuar këtë takim. Jemi në fillesat e një hetimi, është regjistruar për katër vepra penale të rënda që janë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Kryerja e veprave kriminale në grup të strukturuar kriminal”. Janë vepra shumë të rënda për të cilat nuk është përmendur një emër konkret.

Intervista në studio për gazetarin Kostalda Morava, përshtati për online Tea Islamaj.