Ndërtimet pa kriter në Durrës, Kërtusha: Tërmeti i nëntorit dha produktin që pritej
Lektori Ardit Kërtusha në një intervistë për Ora News ka dënuar ndërtimet pa kriter që janë bërë në qytetin e Durrësit.
Sipas Kërtushës, pushteti vendor dhe ai i përgjithshëm kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin e urbanistikë dhe pas asnjëlloj standardi.
Kërtusha: Për Velientën para pak ditësh Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Durrës, dha vendimin në favor të bashkisë. Rrëzoi padinë e Sazan Gurit dhe një sërë aktivistësh të tjerë për këtë masakër ekologjike, historike dhe arkeologjike që i është bërë qytetit të Durrësit.
A është zhdukur historia e Durrësit nga ndërtimet?
Kërtusha: Durrësi çdo ditë e më shumë është sulmuar dhe atakuar nga babëzia e pushtetit, qoftë ky vendor apo edhe i përgjithshëm. Ky Durrës është shkatërruar çdo ditë me leje abuzive ndërtimesh, ku edhe tërmeti i nëntorit dha produktin që ishte i pritshëm, një shkatërrim në masë të këtyre objekteve. Janë dhënë leje në kundërshtim të plotë me ligjin e urbanistikës, pa asnjëlloj standardi. Sikur të mos mjaftojnë lejet e ndërtimit që janë dhënë për shkaqe biznesi, sepse kjo është biznes-politika që japin leje ndërtimi dhe marrin favore të ndryshme. Edhe pushteti vendor ka bërë investime në kundërshtim të plotë me historinë dhe arkeologjinë e këtij qyteti, ka bërë investime që kanë qenë të paracaktuara në pjesën se kush do ti bëjë. E gjithë kjo në dëm të këtij qyteti.
Intervista në studio për gazetarin Sebastian Zonja, përshtati për online Tea Islamaj.