"I hoqën zemrën", motra e Saimirit çon dosjen në Spanjë, padit mjekët

Familja e 33 vjeçarit shqiptar të cilit i është hequr zemra në spanjë kërkon zbardhjen e skandalit dhe nxjerrjen e personave përgjegjës.

Majlinda Sula, motra e Saimir Sulës, është paraqitur sërish të enjten, 4 shkurt 2021 në prokurorinë e Tiranës për të marrë dokumente të dosjes për hetimet e kryera në Shqipëri me qëllim që këtë çështje ta ndjekë në shtetin spanjoll.

“Unë do udhëtoj nesër dhe më duhet një kopje e hetimit që është bërë këtu. Do e përkthej për tia dhënë avokatit në Spanjë”

Motra e të ndjerit thotë se dyshimet kryesore i ka tek mjekët e spitalit në Spanjë, ndërsa përjashton mundësinë që 33-vjeçari të jetë transferuar në ndonjë klinikë tjetër pas vdekjes.

“Po më vrasin, po më marrin shpirtin hajde më merr. Vëllai im ndërroi jetë nga kokteili i medikamenteve që i bënë”

Për të afërmit e shqiptarit mbetet enigmatike autopsia e kryer në Spanjë, pasi disa prej ilaçeve të injektuara, nuk rezultojnë të shënuara në kartelë.

Saimir Sula, u dërgua në një spital në Barcelonë në datë 9 maj, ndërsa disa orë më pas gjeti vdekjen.

Shkaku i humbjes së jetës nga i riu nuk është përcaktuar nga autopsia në Spanjë as nga ajo e kryer në Shqipëri, pasi sipas mjekëve në trupin e të riut mungon zemra.

Për këtë arsye familjarët dyshojnë se atij i janë injektuar disa ilaçe njëkohësisht të cilat kanë shkaktuar reaksion duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.