Fier: Vritet në atentat mafioz Shkëlzen Kastrati, qëllohet me plumb në ballë
Një atentat i organizuar në detaje i mori jetën Shkëlzen Kastratit, 41 vjeç i cili u qëllua me saktësi preçize me dy plumba nga një qitës profesionist.
Ka qenë ora 10:30 e paradites së 1 shkurtit 2021. Viktima po udhëtonte me makinë, në rotodon e Sheqit, kur autori i është afruar me një tjetër mjet duke e qëlluar nga krahu i pasagjerit.
Shkëlzen Kastrati është goditur nga dy plumba, një në kokë që ka rezultuar vdekjeprurëse dhe një tjetër në krah.
Për vrasjen u përdor një automatik Skorpions i pajisur me silenciator, çka i ka dhënë avantazh mjetit të autorit të largohet pa rënë në sy, ndërsa makina e viktimës eci edhe për pak metra e pakontrolluar duke u përplasur me një tjetër mjet që i vinte përballë.

Makina tip Range Rover me targa greke që u përdor për atentatin u gjet e djegur në vendin e quajtur Kthesa e Baltëzës, skemë kjo tipike në atentate, pasi zjarri shkatërron provat që autorët mund të lënë në mjet.
Hetimi
Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes, e përforcuar jo vetëm nga e shkuara e viktimës, por edhe të vëllait të tij, Kelmend Kastratit.

Më 8 Janar 2016, ai u plagos bashkë me Elton Maragaritin në një atentat në Mbrostar të Fierit në një atentat ku viktimë mbeti Denis Kasa.
Hetimet dolën në përfundimin se organizator dhe financues i vrasjes ishte Ermal Binjaku ndërsa shkak sipas prokurorisë ishte një konflikt i vjetër mes tij dhe Kelmend Kastratit i nisur për prishjen e pazareve të drogës jashtë vendit.
Pas ngjarjes policia arrestoi edhe një oficer të SHISH, i cili dyshohet se u dha autorëve informacion për lëvizjet e Kelmend Kastratit që ishte nën përgjim I dyshuar për trafik droge.
Kelmend Kastrati, në vitin 2017 u hetua edhe për gjobëvënie, bashkë me vëllain e Lulzim Cakës, por akuza ndaj tij ra dhe u dënua vetëm për moskallzim krimi.
Sekuestrohen kamerat
Duke u rikthyer tek ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, policia e Fierit ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe pritet të marrë në pyetje dëshmitarët okularë, për të rënë në gjurmët e autorëve, që pasi dogjen makinë e dyshuar se u përdor për vrasjen dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë për të humbur gjurmët në periferi të Fierit.
Njoftimi i Policisë Fier:
Informacion paraprak
Sot rreth orës 10:30, në vendin e quajtur "Ura e Sheqit", një shtetas i paidentifikuar, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K., i cili ka qënë në automjetin tip "Benz".
Autori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip "Range Rover", i cili u gjet nga shërbimet i djegur te vendi i quajtur "Mbikalimi i Baltzës".
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.