Vjedhje, përndjekje dhe kundërshtim me dhunë ndaj efektivëve/ Policia arreston 7 persona
Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e 7-ë shtetasve, dy prej të cilëve të shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se ka arritur të arrestojë në flagrancë shtetasin 18 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale "vjedhja".
Gjatë kontrolleve të policisë ndaj këtij shtetasi, i është gjetur një armë e ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, bënë të mundur ndalimin e shtetases M. H, 33-vjeçe, banuese në Bulqizë, e akuzuar për veprën penale "vjedhja" e mbetur në bashkëpunim.
Gjithashtu Specialistët për Hetmin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit XH. P, 26 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase prej tre muajsh.
Sakaq, nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S, 25 vjeç, pasi në rrugën "Koli Koçi", ka ofenduar dhe goditur për shkak të detyrës një punonjës së policisë dhe rendit publik, pasi ky i fundit i ka vendosur një masë administrative për parkim të gabuar të mjetit.
Po ashtu, Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
K. H., 20 vjeç dhe A. I., 29 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse pa leje drejtimi;
E. P., pasi në rrugën "Tre Dëshmorët" u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.