"M'u krijua përshtypja që barazimi festohet si fitore"/ Bashkim Tufa: Vllaznia jo e lehtë për t'u mundur
Kjo e diel e Superiores kishte rezervuar një superndeshje midis Vllaznisë kryesuese dhe Partizanit të vendit të dytë. Sfida e luajtur në "Elbasan Arena", përfundoi me rrjeta të paprekura.
Nga ky rezultat përfitoi Vllaznia e cila e sheh veten 9 pikë më shumë se të kuqtë. Për këtë u fol në emisionin "Ora Sport", ku i ftuar ishte dhe analisti sportiv Bashkim Tufa.
Sipas tij, festa i takon shkodranëve pasi arritën që të merrnin një rezultat të merituar ndaj Partizanit që në këtë merkato janari ka afruar shumë futbollistë cilësorë.
Tufa tha se Partizani mendonte se ajo do të ishte ekipi që Vllaznia do të ndihej e frikësuar. Por me barazimin e marrë, analisti tha se Vllaznia nuk është e thjeshtë për t'u mundur.
"Java e 17-ë ishte interesante, jo vetëm thjesht për ta thënë që ishte interesante. Ishte një javë që i kishte të gjitha: penalti të akorduara, penallti të pritura, përmbysje rezultatesh, trajnerë të larguar, pati gjithçka që ka futbolli e pamë dje dhe sot.
Sytë e të gjithëve ishin tek ndeshja e Elbasanit midis Vllaznisë dhe Partizanit. Pritej ai hapi i madh i Partizanit, aq më tepër një Partizan i fryrë nga merkato e dimirt me emra të rëndësishëm të afruar. Por çuditërisht sot m'u krijua përshtypja që ndodh në futboll që edhe barazimi të festohet si fitore.
Kjo festë i takoi shkodranëve, të cilët e menaxhuan shumë mirë ndeshjen edhe pse kushtet ishin të vështira. Partizani me të gjitha përforcimet që ka bërë ende nuk e ka bërë atë hapin e madh sepse ka menduar gjithmonë që ai kundërshtari më i frikshëm për Vllazninë do të ishte Partizani. Mirëpo Vllaznia tregoi që nuk është kaq e thjeshtë për ta mundur", tha Tufa.