Java e 17-ë e Superiores/ Sulçe: Vllaznia u tregua pragmatike, arriti të merrte atë që kërkonte
Java e 17-ë e kategorisë Superiore u shoqërua me shumë surpriza dhe emocione. Kryefjala e kësaj jave, ndeshja mes Partizanit dhe Vllaznisë përfundoi në paqe, ku të dyja skuadrat ndanë nga një pikë. Ky barazim i mbërritur favorizon më së shumti Vllazninë e cila e sheh veten 9-të pikë para të kuqve.
Ndërkohë i ftuar në "Ora Sport", gazetari Altin Sulçe tha se sipas tij kjo javë ishte tepër emocionuese, ku rëndësinë e vendosi tek supersfida Vllaznia-Partizani.
Sipas gazetarit Vllaznia u tregua më cinike dhe arriti të merrte atë që i duhej në këtë ndeshje. Ndërsa nga krahu tjetër sipas tij qëndron Partizani i cili zhvilloi një ndeshje të mirë, por jo aq mjaftueshëm sa për të arritur fitoren.
"Për të gjithë njerëzit ka pasur interes. Ishte një ndeshje e bukur, emocionuese, në një terren të rënduar. Vetë puthja e topit nga portieri Zogoviç e përmbledh le të themi një kronikë të pa shkruar të ndeshjes. Kjo tregoi se me pak fat, ai top në kushte të tjera do të shkonte në rrjetë. Nga ana tjetër Vllaznia u tregua pragmatike dhe mori atë që donte. Partizani dominoi në pjesën e dytë, ndërsa në pjesën e parë Vllaznia ishte më mirë", u shpreh gazetari.
Më tej ai bëri një panoramim të të gjitha ndeshjeve në tërësi.
"Unë mendoj që ishte një javë e bukur, ku Tirana rigjeti qetësinë, presidenti Gjici pijen e tij duke e pirë me qejf. Nga ana tjetër një fitore shumë e rëndësishme e Laçit me Teutën, përballë një rivali direkt", tha Sulçe.