PD denoncon “korrupsionin me varrezat”, Xhaferaj: Fituesi i koncensionit është parashikuar, kreu i PS Durrës
Varrezat e Durrësit janë drejt privatizimit, por bashkia ka në plan të shpenzojë 200 mln lekë të vjetra për rikonstruksionin e tyre. Vetëm dy ditë më parë Këshilli Bashkiak miratoi kalimin e shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave privatit.
Kreu i degës së Partisë Demokratike Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ka bërë një denoncim të rëndë ditën e sotme ku koncensioni jepet në thyerje të ligjit 91 të kodit zgjedhor, i cili ndalon dhënien e shërbimeve publike katër muaj përpara zgjedhjeve.
Në fjalën e tij ditën e sotme, Xhaferraj cilëson se ky është një veprim shumë tinëzar dhe se kjo aferë do të denoncohet.
Ferdinand Xhaferraj: Bashkia ka vendosur të privatizojë shërbimin funeral, por në të vërtetë relacioni i referohet një vendimi të vjetër.Gjithmonë kanë dashur të përfitojnë edhe nga ata që humbin jetën. Vendimi i referohet një vendimi të vjetër të 2019, për 88 mln lekë të vjetra, por ajo që nuk sqarohet është se ajo që jepet me koncension shpjegohet më poshtë e cila në të vërtetë është një shumë prej 376 mln lekë të vjetra. Një grabitje e pastër, një taksë e re që u shtohet qytetarëve të këtij qyteti.
Xhaferraj akuzon dhe kreun e Partisë Socialiste Durrës, Luan Zaza, i cili mendohet të fitojë pikërisht këtë koncension.
Ferdinand Xhaferraj: Në prag të ikjes kanë shkuar përtej. Në të gjitha burimet që kam brenda bashkisë, këtë koncension e fiton Luan Zaza, kreu i Partisë Socialiste dega Durrës. Nuk paskan të ngopur në grabitjen që i bëjnë qytetarëve të Durrësit. Këto janë nga ato të shumta ku përplaset dhunshëm në fytyrë dëshira e tyre për të përfituar nga qytetarët.