Alarmi i kuq: 40 kompani po gërryejnë lumin e Matit, Ura e Zogut dhe dy të tjera rrezikojnë shembjen

Prej një muaji mediat kanë denoncuar dëmtimin e rëndë të urës së Zogut, por deri më tani asnjë institucion  nuk ka ndërhyrë as për të parandaluar ngjarje të rënda e as për restaurimin

Një nga këmbët e Urës e Zogut që është monumet kulture në Milot, është fundosur me rreth 2 metër e 40 centimetër, por tashmë janë konstatuar edhe dy ura të tjera historike në këtë zonë që rrezikojnë të shemben.

Një ndër shkaqet kryesore është bërë marrja pa kriter e inerteve nga lumi i Matit.

Zyrtarët bëjnë të ditur se janë katër kompani që janë të liçensuara të marrin inerte nga lumi, por çuditërisht zyrtarët e lartë të shtetit pranojnë se aty operojnë mbi 40 të tilla, duke shkaktuar një dëm kolosal.

Këtë fenomen e ka denoncuar edhe prefekti i Lezhës Gjok Jaku i cili ngre duart lart, dhe akuzon institucionet ligj-zbatuese për neglizhencë.

"Janë vetëm katër subjekte të të cilat janë të liçensuara me leje shfrytëzimi për marrjen e  inerteve, por janë rreth 40 të tjera të cilat punojnë në mënyrë informale. Ky është rrezik i madh për shtratin e lumit, për erozionin dhe kryesisht për ruajtjen e urave. Institucionet e drejtësisë, për fat të keq ka dy vjet që punojnë ose thuajse janë in-ekzistente në raport me këtë fenomen," shprehet prefekti.

Ai deklaron se i është drejtuar të gjithë institucioneve përfshirë prokurorinë për ndërhyrje urgjente.

"I jam drejtuar të gjitha instateve shtetërore, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Transporteve, Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë dhe së fundmi dhe Prokurorisë,'' vazhdon ai.

Pavarësisht kësaj deri më tani nuk ka jo vetëm hetim nga prokuroria, por as reagim nga inspektoratet për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm.