Varrezat me koncesion? Durrsakët e indinjuar: Të japin ajrin dhe detin, ishalla s'na japin dhe ne me koncesion!
Shërbimi funeral shtetëror në Durrës, së bashku me shërbimin e mirëmbajtjes së varrezave publike të qytetit do të kalojnë tanimë në sektorin privatit i cili do të përfitojë një fond prej 37 milionë e 600 mijë lekë.
Por për durrsakët ky projekt është shpenzim i tepërt, duke u nisur nga fakti se Bashkia ka punonjës që paguhen për këtë shërbim.
“Pse duhet të jepet me koncension. Ti japë dhe detin dhe ajrin me koncesion. Ishalla nuk na japin dhe ne me koncesion” thotë një qytetar.
Për ta investimi duhet të shkojë në përballimin e nevojave jetike.
“Është shumë e vështirë. Jemi horra të gjithë, nuk kemi as 10 lekë në xhep".
"Çfarë nuk po bën kjo Bashki, kjo Bashki ka marrë fund, çfarë i ka bërë këtij qyteti kjo Bashki. Shih varrezat, nuk ka një lulishte."
Dhënia me koncension e këtyre shërbimeve është miratuar në mbledhjen e Këshillit të bashkisë të datës 28 janar, me kërkesë të Drejtorisë së Shërbimeve dhe Punëve publike në Durrës.
Tentativa e parë për privatizim është bërë në vitin 2019 dhe vlera ishte 8 milionë e 800 mijë lekë të reja, por e mbetur në tentativë.
Por në projektet e bashkisë ka një tjetër absurd.
Në buxhet është parashikuar një financim prej 20 milionë lekësh për të rikonstuktuar varrezat publike.
Qytetarët e Durrësit, thonë se kjo është një zgjedhje jo e duhur e Bashkisë pasi ajo duhet të punojë në drejtime të tjera, dhe jo duke dhënë shërbimet publike në kompanitë pivate.