Ndërtimi i spitalit të Fierit, Kuvendi voton sot aktin për shpronësimin e pronarëve të truallit

Kuvendi po zhvillon sot seancën e radhës plenare, kur në rend dite janë disa çështje.

Mes çështjeve kryesore janë akti normativ për buxhetin e 2020 të ndryshuar, akti normativ për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e tërmetit dhe shpronësimet për ndërtimin e spitalit në Fier.

Trualli për ndërtimin e spitalit të Fierit ka qenë kryetema e ditëve të fundit.

Kantieri u ngrit këtë të martë, 13 ditë pas angazhimit të presidentit të Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan për të ndërtuar spitalin e ri që pritet të kushtojë deri në 70 milion euro.

Më 11 Janar, 12 familjet pronare të tokës protestuan duke kundërshtuar vlerën e kompensimit, por pas një takimi pa mediat me kryeministrin Edi Rama u dakordësuan të japin token.