Transparency International nxjerr raportin: Shqipëria asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit
Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor në Shqipëri dhe Kosovë, që pengon përparimin demokratik dhe frenon aspiratat e qytetarëve për një jetë më të mirë.
Në këtë përfundim ka dalë edhe për vitin 2020 Transparency International.
Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria ka një pikë më shumë, ndërsa Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh, por të dyja vendet janë në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.
Po ashtu Shqipëria është dy vende më lart sesa vitin e kaluar, ndërsa Kosova tri vende më poshtë.
Lidija Prokic, këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë thotë për Zërin e Amerikës se ngecja në këtë nivel për pothuajse një dekadë tregon mangësitë në sundimin e ligjit.
Në analizë për të dy vendet Prokic thotë se ajo që ndikon tek mungesa e përmirësimit është ndikimi politik mbi sistemin gjyqësor, mungesa e kapacitetit të institucioneve dhe mungesa e pavarësisë së institucioneve gjyqësore kryesisht për të proceduar rastet e korrupsionit.
“Dhe nuk flas vetëm për procesin e prokurimit kur tenderët shpallen dhe vendosen, por kjo vlen edhe për menaxhimin e kontratave publike. Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet në një mënyrë transparente dhe të sigurojmë që këto kontrata të mos merren vetëm nga kompanitë që janë pranë vendim-marrësve në institucionet shtetërore”.
Raporti i këtij viti ka analizuar se si gjithë këto mangësi janë reflektuar edhe tek pasojat për Covid-in dhe Transparency International ka ndeshur probleme në këtë drejtim në Shqipëri.
“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-in. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”.
Përfaqësuesja e Transparency International shprehet se shqetësimet kanë lidhje edhe me trajtimin e shoqërisë civile dhe trajtimin e mediave të pavarura dhe gazetarëve investigative.
"Jemi dëshmitarë që pretendimet e tyre shpesh hidhen poshtë dhe se ata trajtohen si një lloj opozite në vend që të shihen si një faktor korrigjues në shoqëri”.
Edhe paketën Antishpifje, përfaqësuesja e Transparency International e lidh me ndikimin që ajo ka në luftën kundër korrpsionit.
Ndërkaq Bosnje-Hercegovina ka pësuar një rënie prej shtatë pikësh që prej vitit 2012 dhe kështu përbën rast shqetësues në rajon.
Edhe Serbia ka pësuar një rënie prej katër pikësh, por sërish mbetet në renditje më lart se Shqipëria.