Lëviznin me 8 kg drogë me vete, arrestohen dy persona, një në kërkim
Dy të rinj janë arrestuar në Fushë-Krujë pasi gjatë kontrollit në mjetin tip "Audi" u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gr kanabis sativa.
Në pranga kanë rënë R. U., 25 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe E. S., 31 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".
“Arrestimi i tyre u bë pasi, në Fushë Krujë, gjatë kontrollit në mjetin tip "Audi" në pronësi të shtetasit R. U., ku ndodheshin dhe shtetasit A. Xh. dhe E. S. (posedues të lëndës narkotike), u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gr. lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën do ta blinte shtetasi R. U.”, njofton policia.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe po punohet për kapjen e tij., teksa lënda narkotike dhe makina janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim.