Çahet argjinatura e lumit Buna, Bashkia e Shkodrës kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Sot situata është përkeqësuar duke rrezikuar seriozisht shtëpitë dhe jetën e banorëve në Shirq të Dajçit si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të shkarkimeve dhe prurjeve në zonën e NënShkodrës.
Sipas njoftimit të Bashkisë së Shkodrës, argjinatura mbrojtëse e lumit Buna është çarë dhe uji ka vërshuar me shpejtësi duke përmbytur shumë shpejt banesat, gjënë e gjallë, shkollën “Pjetër Gaci”, Qendrën Komunitare, Qendrën Shëndetësore.
Bashkia ka kërkuar shpalljen menjëherë të së fatkeqësisë natyrore në Anën e Malit, Dajç dhe në Shkodër.
Do të kërkohet që në orët në vijim të ndërhyhet me emergjencë ndërhyrja në riparimin e argjinaturës,sepse nëse situata do të vijojë e tillë do të rritet numri i banesave të përmbytura dhe tokave nën ujë.
Korporata energjetike bën me dijë se mbi kaskadën e "Drinit" derdhen 800m kub ujë në sekondë në Vaun e Dejës .Prurjet në Koman dhe Vau i Dejës kanë rënë në 970 metër kub në sekondë.
Gazetari Belpin Kolvataj raportoi për Ora News se mungon baza ushqimore për gjendjen e gjallë dhe pritet që Ministria e Bujqësisë të shpërndajë koncentrat në këto zona.
Aktualisht në qarkun e Shkodrës janë rreth 2000 hektarë tokë nën ujë dhe është enevojshme një ndërhyrje në këto zona pasi pritet që në ditët në vijim të rikthehen reshjet e shiut.
Është parashikuar që gjatë ditëve në vijim të ketë rikthim të reshjeve të shiut, duke shtuar edhe shkarkimet nga kaskadat.