APP ngre shqetësimin: Institucionet shkelje me tenderat
Procedurat tenderuese të ndjekura nga institucionet kanë qenë objekt i investigimeve në Ora News.
Por edhe vetë Agjencia e Prokurimeve Publike ka ngritur shqetësimin për to.
APP ju kërkon institucioneve shtetërore të zbatojnë detyrimet ligjore në drejtim të pjesëmarrjes në garë të kompanive me të njëjtin administrator.
Kjo kërkesë vjen pas problematikave të parashtruara nga operatorët ekonomikë ndaj për këtë sjell në vëmendje se gjatë procesit të vlerësimit pjesëmarrja e dy subjekteve me të njëjtin administrator përbën shkak për skualifikimin e tyre.
Më konkretisht, vendimi i qeverisë që përcakton rregullat e prokurimit publik saktëson se asnjë ofertues nuk mund të marrë pjesë në ofertën e dikujt tjetër për të njëjtën procedurë prokurimi.
“Asnjë ofertues nuk mund të marrë pjesë në ofertën e dikujt tjetër për të njëjtën procedurë prokurimi. Pjesëmarrja nga një ofertues më shumë se një ofertë, tek e tek ose me një ofertues tjetër do të rezultojë në përjashtim nga procesi të të gjitha ofertave në të cilat është përfshirë ofertuesi.”
Ndërkaq, në vendim thuhet se ky parashikim ligjor përfshin të gjitha llojet e procedurave tenderuese, edhe ato me vlerë të vogël.
Sipas APP-së gjatë vlerësimit të ofertave në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, nëse autoritetet kontraktore vërejnë se kanë ofertuar 2 shoqëri me të njëjtin administrator duhet t’i skualifikojnë ato për ndërhyrje në ofertë.