Dhunë mes tifozëve para megaderbit, 3 të lënduar, thyhen xhamat e dyqaneve

Degjeneron në dhunë mes tifozëve derbi i kryeqytetit, i cili po luhet në "Elbasan Arena".

Si pasojë e përplasjes mes tyre kanë mbetur të lënduar të paktën 3 persona.

Ndërkohë janë thyer xhamat e dy lokaleve në Elbasan, një në afërsi të qendrës së qytetit dhe një në afërsi të stadiumit.

"Prej disa minutash tashmë tifozë të pabindur po shqetësojnë jo vetëm tifozë të tjerë që kanë ardhur për të mbështetur ekipet e tyre, por gjithashtu dhe qytetarët e Elbasanit. Për më tepër dy pronarë biznesesh të cilët kanë mbetur në bizneset e tyre me dëme të shumta materiale, pasi grupe tifozësh kanë pasur konflikte mes tyre, konflikte që kanë degjeneruar në dhunë fizike. Konflikti ka nisur fillimisht në një lokal në afërsi të stadiumit Elbasan Arena, ku një përplasje mes tifozëve dërgoi në thyerjen e xhamave të lokalit. Policia ndodhet në vendngjarje, po ashtu janë duke patrulluar forcat Shqiponja të cilët po patrullojnë në zonë. Ka ende tifozë që janë në qytetin e Elbasanit dhe nuk largohen pa mbaruar ndeshja. Shpresojmë që dhuna të ndërpritet me kaq, sepse deri më tani janë lënduar tre persona", raportoi nga Elbasani gazetarja e Ora News Edisona Skënderi.