Atletika, Smajlaj: Po stërvitem në palestër, objektivat i kam të qarta për 2021
Kampioni kombëtar në atletikë Izmir Smajlaj ka qenë i ftuar në “Sport Magazinë” ku ka folur për përgatitjet dhe objektivat e tij në këtë periudhë të vitit.
Smajlaj ka thënë se objektivat e tij i ka mjaft të qarta dhe që po synon që këtë vit të shkëlqejë në botën e atletikës.
“Ne na ka favorizuar koha ditët e fundit. Kemi gjetur mundësinë të stërvitemi në palestra dhe kemi gjetur një ambient të madh sportiv. Objektivat tona janë të larta dhe synimi ynë Kampionati Europian që zhvillohet më 7 mars në Poloni ku pretendoj për medalje të artë.
Unë po flas për veten dhe më janë plotësuar të gjitha kushtet, më ka përkrahur federata, Komiteti Olimpik, unë jam sportist i kompletuar. Pandemia ka ndikuar shumë, sidomos në 2020 kur u pezulluan të gjitha garat, sepse ishte viti më i rëndësishëm i botës së atletikës. Të gjitha janë shtyrë në këtë vit, ku edhe gara besoj do të jetë më e fortë, sepse synimi i të gjithë sportistëve është 2021.
Garën e parë do ta filloj më 30 janar, ku kam një takim në Vjenë, që do jetë një garë testuese me mua dhe do të shikoj veten se ku jam. Aty është një garë e hapur që marrin pjesë të gjithë me dëshirë, por mendoj se do të jetë një garë e fortë. Objektivi im është gjithmonë për të shkuar sa më afër olimpikës”, ka thënë Smajlaj.