Itali, drogë nga Holanda e Shqipëria, policia operacion për shkatërrimin e grupeve kriminale
Një grup i trafikut ndërkombëtar të drogës i drejtuar nga shqiptarë dhe marokenë është shkatërruar nga policia italiane duke vënë në pranga 29 persona. Ata kishin krijuar një skemë të trafikut të drogës nga Holanda dhe Shqipëria drejt veriut të Italisë.
Autoritetet policore italiane të rajonit të Reggio Emilias kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm operacionin e koduar "Trexit" i cili ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar droge i drejtuar nga shtetas shqiptarë e marokenë.
Grupi i trafikantëve prej disa vitesh menaxhonin trafikun e një sasie të madhe droge kryesisht marijuanë e kokainë në pjesën veriore të Italisë
Baza e tyre ishte në territorin e qyteteve Bologna, Cremona, Modena, Mantova, Forili, Parma e Torino ku kishin organizuar një aktivitetet kriminal të strukturuar me detyra të ndara në tre grupime trafikantësh; dy grupe trafikantësh ishin përbërë vetëm nga shtetas nga shqiptarë e në konkurrencë mes tyre e një grup tjetër nga shtetas marokenë.
Hetimet e operacionit "Trexit" kanë nisur në vitin 2017 e kanë cuar deri më sot në arrestimin e 102 trafikantëve droge.
29 trafikantë janë arrestuar mëngjesin e sotëm, 20 prej tyre nën urdhrin e arrestit të Prokurorisë së Bolognës e 9 të tjerë nën urdhrin e arrestit të Prokurorisë së Reggio Emilias.
Droga trafikohej kryesisht nga Holanda e Shqipëria. Një prej grupeve të trafikantëve shqiptarë drejtohej nga një broker shqiptar që jetonte në Holandë e që kryente vazhdimisht udhëtime drejt Italisë për të menaxhuar pazaret e drogës që trafikonin.
Ai zotëronte një rrjet të gjerë korrierësh në Shqipëri me të cilët komunikonte me një sistem mesazhesh të kriptuara.
Autoritetet policore italiane informojnë se ai është arrestuar më herët e ndodhet në arrest me burg në Itali. Ndër të arrestuarit është dhe një femër nga Lituania banuese në territorin e Reggio Emilias.
Grupi tjetër i shqiptarëve drejtohej nga një bos shqiptar me banim në Modena.
Grupet e shqiptarëve ishin furnizuesit e drogës për grupin e trafikantëve marokenë e hetimet kanë zbardhur se shqiptarët u mundësonin blerjen e kokainës me një çmim mjaft të leverdishëm, 29 mijë euro për kilogram.
Operacionet policore kanë çuar në sekuestrimin e 301 Kg hashash, 24,7 Kg kokainë 2,1 kg heroinë, 31 kg marijuanë, 4 pistoleta, 192.000 euro cash e shtatë automjete të modifikuara në mënyrë artizanale me një dysheme të dyfishtë sekrete e me vende të fshehta enkas për lëndën narkotike.
Tre prej automjeteve të sekuestruar janë marrë në dorëzim nga Repartet policore italiane në shërbim të luftës kundër trafikut të drogës.
Puna investigative e autoriteteve policore italiane bëri të mundur instalimin e telekamerave të fshehta brenda automjeteve të cilët kanë dokumentuar sasinë e drogës së trafikuar.
Në këtë operacion bashkëpunoj dhe Drejtoria e Antimafias Italiane të Bolonjës.
Operacioni antidrogë u kodua "Trexit" si bashkim i dy operacioneve të mëparshme të koduar "Exit" i ekzekutuar më 2017 e "Rexit" më 2018.