Përfundojnë verifikimet e Prokurorisë, efektivi dhe Klodian Rasha nuk njiheshin
Efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj nuk ka patur njohje me viktimën Klodian Rasha para se të kryente vrasjen e tij më 8 dhjetor në zonën e Laprakës.
Ky është konkluzioni i Prokurorisë së kryeqytetit pas verifikimeve të kryera në lidhje mundësinë e njohjes mes njeri-tjetrit.
Verifikimi i një njohje të mundshme mes policit dhe 25-vjeçarit Rasha, ishte një nga veprimet e fundit hetimore që pritej nga prokurori i çështjes, i cili javën që vjen pritet t’i komunikojë akuzën efektivit në dhomat e paraburgimit dhe më pas ta dërgojë çështjen në gjykatë për seancë paraprake.
Fillimisht mbi efektivin e “Shqiponjave” rëndonte akuza e "tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes" me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg. Por pas sekuestrimit të pamjeve filmike dhe pas ekspertizave të bëra në vendngjarje të ndihmuara edhe nga misionet homologe që asistojnë ne vendin tonë u arrit në konkluzionin se viktima dhe autori nuk kanë patur njohje mes tyre.
Sipas prokurorisë, efektivi ka kryer goditje sistematike me armë zjarri, duke u pozicionuar (ka qenë shtrirë në tokë) në momentin që ka qëlluar mbi të riun, fakt ky i cili vërtetohet edhe nga dëshmia e kolegut të tij.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga hetimi prokuroria ka përgatitur ndryshimin e akuzës për shkak se efektivi ka qëlluar dy herë me armë zjarri" mbi të riun. Me ndryshimin e akuzës, efektivi i “Shqiponjave” rrezikon tashmë deri në 20 vite burg.