"Shira intensivë"/ Alarmi i IGJEUM/ Merrni masa, priten përmbytje

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit – IGJEUM, përmes buletinit të publikuar në faqen e tij në internet, paralajmëron përmbytje nga data 6 deri më 11 janar si pasojë e shirave të dendur që do të prekin të gjithë vendin.

Sipas IGJEUM, përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet.

“Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021.

Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.

Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave.

Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet", thuhet në buletin.

 Ndërkaq dhe temperaturat pritet të kenë rënie. Prej IGJEUM nuk u pranua të ketë sqarime të mëtejshme, teksa do të ndiqen zhvillimet hap pas hapi