Hidhet kryqi i bekuar në ujërat e lumit Osum, 9 të rinj sfidojnë pandeminë dhe temperaturat e ulëta
6 Janari shënon ditën e “Ujit të bekuar” që kremtohet nga te krishterët në mbarë botën. Dita e Ujit të Bekuar simbolizon momentin e pagëzimit të Jezus Krishtit nga Gjon Pagëzori në ujërat e lumit Jordan.
Por pandemia e koronavirusit ndryshoi këtë vit ritet e ceremonive shekullore. Shumë Kisha, në pothuajse gjithë Shqipërinë, anuluan hedhjen e Kryqit të shenjtë në lumenj apo liqene.
Por ndryshe nga qytetet e tjera ceremonia e hedhjes së Kryqit, u zhvillua edhe në Berat, ku mori pjese edhe, Presidenti Ilir Meta.
Gjatë zhvillimit të ceremonisë Meta u paraqit me maskë së bashku me besimtarët pjesëmarrës, buzë lumit Osum.
Disa të rinj sfiduan temperaturat dhe të ftohtin e kësaj dite janari, ndërsa ‘’Kryqi’’ u arrit të kapej nga 21-vjeçari Daniel Lirza.
Ceremonia e hedhjes së kryqit është zhvilluar edhe në Vlorë, ku disa të rinj janë hedhur në det për të kapur kryqin e bekuar.
Pandemia e koronavirusit nuk ndaloi as të rinjtë në fshatin, Tushemisht të Pogradecit, të cilët ishin të shumtë në pjesëmarrjen e ceremonisë. Mes të ftohtit dhe temperaturave të ulta“Kryqin e Bekuar “ e kapi Andrea Taci .
Ashtu siç ka bërë në shumë aspekte të jetës së përditshme, pandemia e koronavirusit detyroi këtë vit, ndryshimin e riteve edhe në Korçë si rrallë herë “Kryqi” nuk u hodh në ujin e lumenjve.
Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” u mbajt vetëm rituali i bekimit të ujit një simbolikë e pastërtisë, jetës dhe shpëtimit për besimtarët e krishterë.
Të njëjtin protokoll zbatuan edhe kishat në Elbasan, Durrës e Fier.
Në këtë ditë të bekuar për besimtarët e krishterë, nuni apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazz,i kishte zgjedhur Shkodrën për daljen e tij të parë duke uruar dhe besimtarët e krishterë.
‘’Duke marrë parasysh këtë kohë vuajtje që po jetojmë, Zoti na do te gjithëve sipas aftësive tona dhe na thërret me jetu ne bazë të kësaj dashurie që di të sakrifikojë, te vuajë. Uroj te keni atë dashuri e bamirësi qe koha na kërkon’

I pranishëm në ceremoninë e hedhjes së kryqit në Berat ka qenë edhe Presidenti i Republikës,Ilir Meta. Pas ceremonisë,Meta,duke shprehur kënaqësinë që ka qenë i pranishëm sot në qytetin e kulturës dhe traditave mijëravjeçare,ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit sa më të mbarë.
"Le të na ndriçojë kjo ditë e bekuar dhe ky moment për të na forcuar besimin në Zot për të përballuar sfidat e vështira dhe për të na mbrojtur nga kjo pandemi. Le të na ndihmojnë këto bekime të sotme për të qenë më të bashkuar dhe për të përballuar sfidat e këtij viti"-ka thënë Meta. Presidenti Ilir Meta i është shmangur pyetjeve politike dhe vetëm ka uruar mbarë shqiptarët për një vit të mbarë.
