Covid-19, Fico: Ja grupmoshat dhe qarqet më të prekura në Shqipëri
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në konferencën e parë për mediat për vitin 2021.
Sipas Drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë dy javëve të fundit ka një ulje të pozitivitetit me Covid-19.
“Gjatë javës së fundit incidenca është ulur lehtësisht. Për dy javët e fundit incidenca mbetet 177 raste për 100 mijë banorë, krahasuar me dy javët e mëparshme. Pozitiviteti është 22%. Mosha e rasteve të konfirmuara është 47.5 vjeç.
Për situatën pandemike po merret në shqyrtim periudha 23 dhjetor deri në 5 janar. Niveli i pozitivitetit është mesatarisht 22 %. Mosha mesatare është 48.7 vjeç dhe intervali është nga 2 muaj deri në 98-vjeç. Mosha më e prekur është ajo 55-64 vjeç dhe më pas ajo 25-34 vjeç dhe e treta 45-54 vjeç.
Ka një rritje te grupmosha 25-34 vjeç ndaj të rinjtë duhet të tregojnë kujdes.. Gjirokastra është në fillim për nga incidenca, ndjekur nga Tirana dhe Lezha”, u shpreh drejtoresha e ISHP.
Fico apeloi që masat anti-Covid të vazhdojnë të respektohen.
"Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Transmetueshmëria është e lartë dhe mbi të gjitha jemi në pikën kur duhet të jemi të kujdesshëm në zbatimin e masave. Ne mendojmë se këto masa kanë kontribuar në këto shifra ku jemi.
Të respektojmë masat. Duke nisur me mosgrumbullimet, maskën dhe respektimin e orës policore".
Nga nisja e pandemisë, Shqipëria numëron 60,283 të infektuar, 1210 viktima dhe 35551 të shëruar.
Lexo edhe: Vijon “ora policore”, ndalen fluturimet me Britaninë e Madhe deri më 18 janar
Lexo edhe: Komiteti i Ekspertëve: Ja kur do të kthehen studentët në auditore
Lexo edhe: A duhet të vaksinohemi ne që kemi kaluar Covidin? Ja përgjigjja