Vrasja makabre e çiftit Pasho, avokati për Ora News: Elona nuk flet derisa...

Federico Febo, avokati i Elona Kaleshas, e akuzuara për vrasjen e çiftit Pasho në Itali, ka rrëfyer për RTV Ora e Ora News çfarë po ndodh me çështjen që po mban mbërthyer opinionin publik në Shqipëri dhe në Itali. 

Sipas tij, klientja e tij nuk pranon të flasë derisa të dalin përgjigjet e raportit mbi gjurmët biologjike të gjetura në vendngjarje.

"Më datë 8 janar ditën e premte është vendosur që Gjykata e Rishqyrtimit të çështjes në Firenze të marrë në diskutim kërkesën tonë kundër masës së sigurisë “arrest me burg” për Elona Kaleshan”, shprehet avokati.

Lexo edhe:

“Dihet djali i ka vrarë…” Zbardhen përgjimet telefonike të Elonës pas vrasjes së çiftit Pasho

A ka akuza të reja kundër klientes tuaj? 

Avokati Federico Febo: Një nga motrat Pasho hipotezon përgjegjësinë e Elona Kalesha në krimin e vrasjes së prindërve të saj Shpëtim e Teuta Pasho.

Elona si i përgjigjet kësaj akuze? A është marrë  përsëri në pyetje? 

Avokati Federico Febbo: Elona Kalesha vazhdon të mos flasë e para se të kërkoj të merret në pyetje pret raportin mbi gjurmët biologjike në trupat e gjetur të viktimave si dhe raportin përfundimtar të policisë shkencore në dy apartamentet e sekuestruar.

Prokurorja e çështjes, Ornella Galeotti, së bashku me autoritetet policore vazhdon hetimet për të gjetur motivet e këtij krimi makabër si dhe personat që e kanë ndihmuar Elona Kaleshan,  si personi i vetëm i akuzuar për vrasjet.

Për momentin ata mbështesin tezën se Elona Kalesha është ndihmuar nga të paktën dy persona në kryerjen e këtij krimi të dyfishtë.

36-vjeçarja Elona Kalesha, ish e fejuara e Taulant Pashos, djalit të Shpëtim e Teuta Pashos, trupat e të cilëve u gjetën të masakruara në katër valixhe pesë vite pas zhdukjes së tyre më 2 nëntor 2015, është e akuzuara kryesore për ngjarjen makabre.

Katër valixhet me mbetjet trupore të copëtuara të çiftit Pasho u gjetën të hedhura në autostradën Firenze-Piza, në afërsi të burgut të Solleccianos.