Shqipërisë po i ikën "truri", Meta: Referendumi i 25 prillit, vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), në një raport të vitit 2020, konstaton se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.

Lidhur me këtë raport reagon edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e quan atë një "tjetër rekord të zi" për vendin.

Sipas presidentit, zgjedhjet e 25 prillit, që ai i quan referendum, janë një mundësi për të ndryshuar Shqipërinë jo vetëm në 4 vitet e ardhshme, por për dekada të tëra.

"Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë. Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë", shkruan Meta në postimin e tij.

Postimi i plotë i presidentit Ilir Meta:

Një tjetër rekord i zi! Sipas raportit të vitit 2020, të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë. Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë.

Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë.

Lexo edhe:

Shqipërisë po i ikën truri, OECD: E katërta në botë për rritjen e emigracionit të njërëzve të aftë

Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e te cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante.

/a.r,OraNews