Iu shpëtoi nga duart i arrestuari, procedohen penalisht 7 policë
Shtatë efektivë policie janë proceduar penalisht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas arratisjes së 30-vjeçarit Riljon Lala mëngjesin e 4 janarit. I riu u largua gjatë kohës që po jepte shenjat e gishtave, ndërkohë që efektivët e policisë akuzohen për shpërdorim detyre pasi nuk kanë zbatuar procedurat e sigurisë gjatë shoqërimit të të ndaluarit.
Një ditë pas arratisjes nga komisariati nr.1 i një 30 vjeçari të akuzuar për armëmbajtje pa leje Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur hetimet ndaj efektivëve që e shoqëronin nga ambientet e paraburgimit drejt gjykatës së Tiranës.
Shtatë efektivë janë proceduar në gjendje të lirë pas arratisjes së Riljon Lalaj nga komisariati nr.1, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Fillimisht ka nisur procedimi për 3 inspektorët pjesë e trupës së shërbimit, dhe ndihmës specialist në zyrën e informacionit, pasi dyshohet se kanë shkelur procedurat standarde të punës të vendosura për rastet e shoqërimit të të arrestuarve apo ndaluarve nga Dhomat e Izolimit në ambiente të tjera, duke mos zbatuar me korrektësi veprimet që sollën më pas largimin e 30-vjeçarit Lalaj.
Krahas tyre janë proceduar dhe përgjegjësi i dhomave të paraburgimit dhe shefi i seksionit të patrullës së përgjithshme pasi kanë përgjegjësi për ushtrimin e kontrolleve dhe forcimin e disiplinës për zbatimin e rregullores së shoqërimit të arrestuarve gjatë lëvizjes së tyre nga dhomat e shoqërimit.
Ndërkohë sipas SHCBA-së, është proceduar dhe specialisti i patrullës si dhe laboranti i policisë shkencore pasi nën cilësinë e laborantit kriminalist, ka pasur përgjegjësi të respektojë kërkesat e procedurave standarde gjatë marrjes së gjurmëve të gishtave në ambientet e Komisariatit ndaj shtetasve të arrestuar.
Pavarësisht arratisjes gjykata të hënën vendosi në mungesë masën “arrest me burg” për 30 vjeçarin ndërkohë kanë nisur hetimet edhe për ngjarjen e fundit të arratisjes ku ndaj tij do të ngrihet një tjetër akuza ajo e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Në procedim penal
• Inspektor M.B., 60 vjeç, Trupë Shërbimi në Seksionin e Ruajtjes së Rendit dhe Patrullës së Përgjithshme;
• Inspektor M.Xh., 53 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë;
• Inspektor Gj.F., 51 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë.
• Inspektor A.D., 51 vjeç, Përgjegjës në Dhomat e Paraburgimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë;
• Komisar R.Sh.,45 vjeç, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë;
• N/Komisar Gj.Gj., 47 vjeç, Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.
• Inspektor F.K., 50 vjeç, Laborant i Policisë Shkencore në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.
Lexo dhe:
U arratis nga komisariati në Tiranë: SHÇBA nis hetimet, sekuestrohen kamerat