Speciale: Kur Ora News jep shpresë, familjet që u ndihmuan në 2020
Tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia ekonomike kanë tronditur jo pak financat e shqiptarëve, duke e kthyer një pjesë të madhe në mjerim.
Historitë e tyre, problemet, thirrjet për ndihmë kanë qenë në qendër të vëmendjes së Ora News, e jo vetëm për ti bërë jehonë por për ti ndihmuar në mëkëmbjen dhe rikthimin në normalitet
Reagimet nuk kanë munguar. Shoqata individë dhe institucione iu janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë
Shumë familje prej vitesh janë lënë në harresë e madje të mënjanuara prej institucioneve vendore. E lutja e tyre është e thjeshtë, minimaliste e me lot në sy
Një ndër familjet që vuajti pasojat e pandemisë është edhe Flutura Stafa jeton mes varfërisë dhe vetmisë. Prej më shumë se 4 vitesh që pas divorcit nga bashkëshorti jetesa e saj u përkeqësua . Ajo tregonte se nga lekët që merrte i mbesin vetëm 5 mijë lekë.
Por pas kronikës së transmetuar në Ora News një fondacion u sensibilizua duke e ndihmuar me ushqime
Një tjetër histori që mori zgjidhje është dhe familja e Aida Dokle. Kryefamiljarja prej vitesh detyrohej të shihte vuajtjet e vajzës së saj të sëmurë. Lotët e Estelës 7 vjeçare e cila nuk kishte me se të blinte ilaçet prekën shumë.
Rasti mori bujë jo vetëm në Shqipëri po në Kosovë e Evropë. Qytetarë të shumtë u sensibilizuan duke i dhuruar asaj ushqime, ilaçe e vlera të shumta monetare.
Surprizat për Aidën nuk përfunduan këtu. Falë një fondacioni Aidës ju dhurua një shtëpi duke i hequr barrën më të madhe.
Një tjetër familje në Rrushkull të Durrësit është ndihmuar nga Ora News. Gazetarët ia referuan rastin kryqit të kuq, familja jetonte në kushte mjerane. Drama e familjes nuk përfundonte këtu. 2 vite më parë kryefamiljari u vetëflijua duke lënë 4 anëtarët e tjerë në mëshirë të fatit dhe pa kushtet as minimale.
Fati i keq e ka përndjekur edhe më herët këtë familje. Vite më parë ndërtesën e ngritur me mund e përfshinë flakët, duke i djegur dhe ato pak orendi.
Pas referimit të rastit te kryqi i kuq ky i fundit u tregua i gatshëm duke kontribuar me dyshekë, batanije, artikuj ushqimorë, detergjentë etj. Teksa hapnin pakot me ushqime emocionet për 2 vajzat e shtëpisë ishin të mëdha. Kryqi i kuq së bashku me kryetarin e fshatit premtuan se do ta ndiqnin edhe më tej këtë familje.
Të shumtë janë qytetarët që nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje në institucionet shtetërore.
Mark Buca në lagjen 5 në Babrru ankohet se shteti nuk i jep dëmshpërblimin për rindërtimin e shtëpisë së tij të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Tregon se që pas tërmetit shtëpia e tij u vlerësua për tu rindërtuar por deri më sot ende nuk i ka tërhequr paratë. Justifikimet nga ana e bashkisë sipas tij kanë qenë të ndryshme. Por ishte Ora News që e ndoqi rastin
E shpresa lind nga sjellja. Pikërisht kontributi i atyre që ndihmuan këto familje, e shumë e shumë të tjera kanë sjellë gëzim dhe një dritë për të ardhmen më të mirë. Sigurisht ne do të vazhdojmë misionin tonë, jo vetëm për informacion por duke i dhënë zë zërit tuaj, e sa kohë që shqiptarët do të solidarizohen shpresa për një jetë më të mirë nuk do të humbasë