Ademi në verifikim edhe për trafikim fëmijësh, foto e tre "grave" të 59 vjeçarit
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas pretendimit të familjarëve të dy motrave të vrara në Tiranë se autori i krimit ka kryer trafikim të fëmijëve. Këto akuza janë hedhur poshtë nga bashkëshortja e 59-vjeçarit Përparim Ademi e cila i konsideron shpifje. Ajo thotë se ka denoncuar në polici të afërmit e dy motrave të vrara nga i shoqi pasi persona të paidenfikuar i kanë kërcënuar me jetë. Nga ana tjetër policia ka zbuluar se djali i autorit të vrasjes ishte i lidhur me motrën e vogël të dy viktimave.
Policia dhe prokuroria janë vënë në lëvizje pas akuzave të bëra nga familjaret e dy motrave të vrara në Tiranë se autori ka trafikuar fëmijë.
Prokurori i çështjes Albert Demirneli i pyetur nga RTV Ora ka bërë me dije se i është lënë detyrë oficerëve të policisë gjyqësore për ti thirrur dëshmitarët për të dhënë sqarime rreth këtij fakti.
Por deri tani prokuroria nuk ka patur indicie për një akuzë të tillë, ndaj zyrtarisht ka ngritur akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.

Pretendimet e familjarëve të dy motrave të vrara, sipas bashkëshortes së autorit janë të pavërteta.
“Nuk janë të vërteta. Janë të gjitha rrena. Ata duan pasurinë, duan këtë shtëpi. Unë kam hyrje-dalje familjare me këta. E di gjithë lagja”.
Familja e 59-vjeçarit të martën ka denoncuar në policinë e Tiranës, faktin se të afërmit e dy motrave i kanë kërcënuar me jetë.
Vjollca Tela, bashkëshortja e Përparim Ademit kërkon mbrojtje nga shteti.
“Mbrojtje nga policia po e po. I kam thënë dua mbrojtje nga shteti se unë nuk dua të rri më në Shqipëri. Do zhdukem ose të vijnë të më vrasin.”
Grupi hetimor bën me dije se Ademi para disa vitesh u ka shitur apartamentin ku jetonin dy viktimat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, tek ish-Parku i Autobusëve.
Pasi dy motrat kanë mbetur pa shtëpi janë strehuar për një periudhë kohe në shtëpinë e Përparim Ademit, të gjithë bashkë.
Më pas njëra prej motrave, Kristina, është larguar në drejtim të Greqisë, ndërsa 5 vite më parë ato kanë blerë me kredi apartamentin në zonën e Astirit, banesën ku dhe u ekzekutuan.
Sipas hetuesve edhe djali i Përparim Ademit ka patur lidhje intime me motrën tjetër të viktimave, Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi.
Vetë djali ka rrëfyer para grupit hetimor kur është marrë në pyetje se e ka marrë vesh ngjarjen nga e dashura e tij, motër e dy viktimave.
Lexo edhe:
Burri vrau dy motrat, flet bashkëshortja: Dua mbrojtje. Persona të maskuar më kanë kërcënuar vajzën