Fillim vit i vrullshëm për Partinë Demokratike dhe frontin opozitar

Janari do të jetë një muaj intensiv politik, për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj opozitar, në përgatitje për zgjedhjet e 25 prillit. Pas ndryshimit nga ana e Partisë Socialiste të Kodit Zgjedhor, forcat opozitare janë detyruar të gjejnë një formulë të re se si do të dalin në zgjedhje për të maksimalizuar votën.

Viti 2020 u mbyll vetëm me diskutime dhe një analizë të hollësishme në të gjitha qarqet, por pa një vendimmarrje në qoftë se do të dilet me një listë të udhëhequr nga Partia Demokratike apo me dy lista ku njërën prej tyre do ta udhëheqë Lëvizja Socialiste për Integrim.

 Afatet ligjore nuk e presionojnë vendimmarrjen pasi, në bazë të kodit zgjedhor partitë politike duhet të regjistrohen në KQZ deri në 15 shkurt ndërsa brenda 24 shkurtit duhet të vendoset në qoftë se do tw ketë një listw apo disa blloqe opozitare.

 Por përtej afateve,burimet I thanë RTV Ora, se vendimi në kampin opozitar pritet të ndërmerrte shpejt me qëllim ndarjen e detyrave dhe daljes në fushatë, e cila vështirësohet edhe për shkak të masave anti-Covid.

Por për Lulzim Bashën, strategjia elektorale nuk është vendimmarrja e vetme në këtë fillim viti. Atij i duhet të prezantojë edhe 9 emra si drejtues politikë në 9 qarqe. Deri më tani janë emëruar vetëm 3 emra: Helidon Bushati, në Shkodër, Enekelejd Alibeaj në Fier, dhe Bujar Leskaj në Vlorë. Pas këtij procesi, të gjithë kryetarët të partive apo udhëheqësit e koalicioneve duhet të vendosin deri në 7 mars se kush do të jetë lista e kandidatëve. Nga ana tjetër në takimet me qytetarët dhe grupet e interesit, Lulzim Basha, ka shpalosur pjesë nga program i tij për nesër në qeveri, po në këtë fillim vit ky proces pritet të intensifikohet, pasi alternativa do të shtrohet për konsultim dhe diskutim në gjithë vendin.