Engel lë Kongresin pas tre dekadave, Basha: Mik i shtrenjtë dhe avokat i palëkundur i vendit tonë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një mesazhi mirënjohjeje ndaj kongresmenit amerikan Eliot Engel, ka vlerësuar mbështetjen e tij gjatë 3 dekadave të fundit për të sjellë pavarësinë e Kosovës dhe tranzicionin demokratik në Shqipëri.

Basha në mesazhin e tij thekson se bashkëpunimi do të vijojë edhe më tej me Engel.

“Shpreh mirënjohjen time më të thellë për mikun tonë të shtrenjtë dhe avokatit tonë të palëkundur Eliot Engel. Faleminderit për mbështetjen vendimtare gjatë 3 dekadave, që ka sjellë pavarësinë e Kosovës dhe tranzicionin demokratik në Shqipëri, përfshirë anëtarësimin në NATO. Do të vazhdojmë më tej së bashku punën e papërfunduar ende”,  shprehet Basha.

Eliot Engel do të largohet sot nga Kongresi në SHBA, pas 32 viteve në detyrë.

Engel ka qenë anëtar i Kongresit, ku viteve të fundit ishte kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka shpërndarë një foto me të dhe e falenderuar për punën e bërë dhe për mbështetjen që Engel i ka dhënë Shqipërisë.

“Faleminderit Eliot Engel për një jetë të tërë që i ke shërbyer vendit tonë, përfshirë mbështetjen për marrëdhënie të forta mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Ju keni fituar mirënjohjen, respektin dhe dashurinë e kaq shumë njerëzve në të gjithë botën. Faleminderit”, shkruan Kim.

Engel, 73 vjeç ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme në zgjedhjet paraprake.

Ai ka mund të jetë ambasador ose nënsekretar në administratën e Joe Bidenit.