Pandemia shkakton probleme psikologjike te të gjitha grupmoshat, flet mjekja psikiatre
Arjana Rreli mjeke psikiatre në një lidhje direkte për RTV Ora ka treguar se të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara gjatë pandemisë për shfaqjen e problemeve psikologjike.
Arjana Rreli për RTV Ora: Nëse do të kthehemi pas në kohë të gjithë jemi dëshmitarë të asaj vale presioni psikologjik që u përball mosha e tretë. Ato u vunë në qendër të vëmendjes duke u vënë në qendër të kujdesit tonë me paralajmërime, me këshilla, për tu ruajtur sepse kishin probleme kronike, sepse ishin shumë të rrezikuar. Kështu që kjo grupmoshë patjetër që e vuajti shumë dhe është në fokusin e grupit të personave që do të vazhdojnë të kenë kujdes dhe të shihen me prioritet. Pjesa tjetër është ajo aktive. Sepse kjo moshë ishte ajo që u dëmtua më së shumti në aspektin social. Moshat aktive u detyruan të kishin një mënyrë tjetër për tu përshtatur në punë. Nga ana tjetër disa prej tyre e humbën fare edhe vendin e punës. Këto janë stresorë madhorë që vërtetë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Dhe kjo grupmoshë është gjithashtu në grupin e moshës që ne do vazhdojmë të bëjmë kujdes më tej për të shmangur pasojat e shëndetit mendor.
Ajo tha se duhet bërë një kujdes i madh për fëmijët dhe adoleshentët të cilët duket se janë prekur më pak por që sipas saj do ti shfaqin problematikat e tyre në një kohë të dytë.
Arjana Rreli për RTV Ora: Fëmijët dhe adoleshentët janë një grup tjetër që duket sikur janë prekur më pak por që normalisht do ti shfaqin problematikat e tyre në një kohë të dytë. Sepse sigurisht një pjesë janë në moshën e rritjes dhe çdo traumë e së kaluarës lë gjurmët e veta për të shmangur problemet në një kohë të dytë. Pra ka një gjithëpërfshirje të popullatës për sa i takon kujdesit që ne profesionistët e shëndetit mendor duhet të tregojmë në një kohë të dytë edhe gjatë pandemisë pasi ende nuk e dimë së sa do të vazhdojë. Të shpresojmë që të mos zgjasë dhe më tepër. Por dhe për pasojat që kjo pandemi në terma kohore afatgjatë do lërë në popullatë.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online E.P