Emigrantët po ikin, nis fluksi i largimit në pikat kufitare tokësore dhe detare

Kjo fundjavë shënoi nisjen e fluksit të largimit të emigrantëve nga toka e deti drejt vendet ku jetojnë e punojnë pasi kaluan ndërrimin e viteve pranë familjarëve. Testi negativ për koronavirus është kushti kryesor për të kaluar kufirin.

Pasi kaluan festën e Vitit të Ri me familjet, emigrantët nisën të kthehen drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.

E diela shënoi nisjen e fluksit në Kakavijë, e vetmja pikë kufitare nga ku bëhet lëvizja tokësore me Greqinë.

Testi PCR me rezultat negativ për Covid 19  është kusht kryesor për të kaluar kufirin drejt Greqisë, sikurse formulari  FPL.

Të dielën në Kakavijë u punua me 4 sportele, ndërsa nuk pati radhë apo vonesa.

Numri i emigrantëve që erdhën për të festuar në atdhe ka qenë më i ulët këtë vit, kjo për shkak të masave kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Mbyllja e Kapshticës ndërkohë e ka devijuar lëvizjen e emigrantëve nga juglindja në Qafë Thanë.

1922 persona hynë dhe 2090 të tjerë dolën nga kjo pikë kufitare në 24 orët e fundit.

Largimi i emigrantëve nisi mbrëmjen e së shtunës edhe nga porti i Durrësit i cili kryesisht përdoret nga ata që jetojnë e punojnë në vendet e europës perëndimore.

1214 pasagjerë lanë vendin me tragetet e linjes së Barit.

Piku i lëvizjes pritet të shënohet në ditët e para të javës edhe pse të dhënat në krahasim me vitet e kaluara janë disa herë më të ulta.

Vendet e BE ruajnë një regjim kufizues të lëvizjes, ku tamponi negativ është kusht për kategoritë e përcaktuara që lejohen të udhëtojnë, ndërsa veç matjes së temperaturës Shqipëria nuk ka asnjë masë shtesë.