Viti nis me zjarrvënie në Vlorë, digjen makinat e dy kushërirave

Dita e tretë e këtij viti rikthyeu fenomenin e djegies së qëllimshme të automjeteve në Vlorë. Dy makina që përdoreshin nga dy vajza u dogjën në orët e para të mëngjesit në Lungomare. Ngjarja të tilla gjithmonë janë konsideruar si një mesazh direkt, por motivet mbeten të paqarta.

Dita e tretë e vitit të ri shënoi rastin e parë të djegies së qëllimshme të makinave në Vlorë, tashmë një fenomen në qytetin bregdetar.

Dy automjete u dogjën pas mesnate në lagjen "Pavarësia", në hyrje të Lungomares ku ndodheshin të parkuara.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Sipas burimeve, ato janë lyer me benzinë dhe më pas u është vënë flaka.

Mjetet përdoreshin nga dy vajza, banuese në Vlorë.

Njëra e kishte në pronësi mjetin e djegur, ndërsa tjetra sipas burimeve e kishte marrë me qira.

Në funksion të identifikimit të autorit, policia mësohet se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në zonë.

Po ashtu do të merren edhe dëshmitë e dy vajzave, për të mësuar nësë ato kanë pasur konflikte apo kërcënime të mëparshme, për të arritur më tej në një pistë konkrete.

Djegia e qëllimshme e mjeteve gjithmonë është lexuar si një mesazh direkt paralajmërues për pronarët.

Fenomeni ka nisur në Vlorë disa vite më parë, ndërsa vitin 2020 u përhap thuajse në të gjithë Shqipërinë ku janë regjistruar disa dhjetra raste të djegies së qëllimshme të mjeteve.

Në shumicën e rasteve ngjarjet kanë mbetur pa autorë.

Njoftimi i policisë

Më datë 03.01.2021, rreth orës 00:37, në lagjen Pavarsia, Vlorë, janë djegur pjesërisht dy automjete, në pronësi të shtetaseve K. P., dhe E. P., banuese në Vlorë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të rënies së zjarrit.

https://youtu.be/8XFZtk7yhNg