Gjykata lë në burg të riun që vrau kunatin, avokati: E thirrën mbesat pasi babai u dhunoi nënën

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 34-vjeçarin, Klajdi Shundi, i cili goditi me thikë mbremjen e 31 dhjetorit bashkëshortin e motrës së tij Vladmir Zvezhda, i cili humbi jetën më pas në spital. Para gjykatës autori ka pretenduar se nuk e mbante mend  momentin kur e kishte goditur  ndërsa me viktimën kishin patur marrëdhënie të mira dhe shoqërore.

Ka nisur si një darkë familjare për të festuar ndërrimin e viteve dhe inagurimin e banesës së re të Klajdi Shundit, po ka përfunduar  në një tragjedi.

34-vjeçari, i cili qëlloi me thikë duke i shkaktuar vdekjen, bashkëshortin  motrës së tij Vladmir Zvezhda, ka dalë këtë të dielë para gjykatës, për tu vlerësuar me masën e sigurisë.

Prokurori, Englind Gjini, kërkoi  “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, ndërsa avokati mbrojtës Andi Skenderi, ka kërkuar një masë me të butë sigurie atë të “arrestit në shtëpi”.

Para gjykatës, autori 34 vjeçar ka pohuar se nuk mbante mend momentin që ka goditur Zvezhdën, me të cilin kishte patur marrëdhënie të mira krahas familjare edhe shoqërore.

Për avokatin, Andi Skënderi, ngjarja ka patur si shkak grindjen mes dy bashkëshortëve, motrës së autorit dhe viktimës, e cila kishte nisur gjatë darkës dhe ka vijuar më pas te shkallët e pallatit, ku Shundi ishte telefonuar për ndihmë nga dy mbesat e mitura.   

Avokati tha se ka kërkuar nga prokuroria kryerjen e dy ekspertizave për të përcaktuar  saktë akuzën  ndaj tij.

https://youtu.be/NVcKOj9ac2o

“Viktima dhe autori kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera, të pranuara edhe nga autori para gjykatës. Ngjarja ka ndodhur pas konfliktit që viktima ka patur me bashkëshorten që është dhe motra e autorit. Mbesat kur kanë parë nënën të dhunuar kanë njoftuar dajën. Ai ka zbritur në mënyre të menjëhershme, ka patur thikën në dorë dhe nuk mban mend se si ka ndodhur. Presim ekspertizën në lidhje me gjendjen psikologjike të autorit dhe faktin nëse do provohet që shkaktar ka qenë dehja. Për ne vepra penale e prokurorisë nuk qëndron, për ne është plagosje e rëndë me pasojë vdekjen.”

Shundi akuzohet për vrasje për shkak të rrethanave familjare, akuzë për të cilën rrezikon deri në burgim të përjetshëm.

Ndërsa sipas mbrojtjes ai duhet të akuzohet për plagosje të rendë me pasojë vdekjen.