Speciale/"Kartolinë" urimi nga Infektivi, Rtv Ora mes të sëmurëve me Covid që po trajtohen në spital
Viti 2020 e përqëndroi vëmendjen e të gjithëve te koronavirusi, pacientët e prekur prej tij dhe spitalet ku ata trajtohen.
Në ditët e fundit të vitit është bërë zakon tashmë nga të gjithë shkëmbimi i dhuratave dhe urimeve për të shpërndarë më shumë dashuri.
Por kur këto urime përcillen nga ata që janë kryefjala e pandemisë, fjalën marrin më shumë kuptim.
Megjithëse ndërrimin e viteve nuk do ta festojnë si më parë, pacientët e shtruar në spitalin Infektiv luten që 2021 ti gjejë me më shumë shëndet jo vetëm ata por të gjithë shqiptarët.
"Ti ikë pandemia sa më shpejt, të gëzojmë të gjithë. Deri tani mirë, kur u shërova unë që isha shumë keq…"
Megjithëse pacientët nuk do të jenë pranë familjes për këto festa, për ta familje është bërë stafi i spitalit ku trajtohen.
"Nuk më besohet gjendja ime shëndetësore, erdha jo shumë optimist. Dikush në Vlorë më tha shko në Tiranë se gjen derman.Falenderoj të gjithë këta njerëz që sakrifikojnë kaq shumë për të na shërbyer ne".
Dëshira për të qenë pranë njerëzve të dashur është e madhe por në gjendjen që janë e vlerësojnë edhe më tepër jetën.
"Do të doja të isha pranë familjes, për mua nuk është shumë e rëndësishme 1 apo 2 netë të Vitit të Ri por vazhdimësia. Dua të shkoj në shtëpi padyshim, por me rëndësi është që të gjithë të ndihen mirë me familjarët e tyre. Para jetës asgjë nuk është e rëndësishme. Viti i Ri do të vijë, pastaj do të vijë viti tjetër, jeta do të vazhdojë".
"Nuk e kemi kuptuar të gjithë Covidin, Covidin e kupton vetëm ai që e kalon këtu."
Më shumë më ka marrë malli për gruan, thotë Ilirjani, i cili tregon se asnjëherë nuk është ndarë prej saj.
"Më ka marrë malli për gruan time.E di që nuk e mban vendi, ka qenë mbështetje për mua."
Në këtë periudhë zonjat kryesisht janë të angazhuara me përgatitjen e tryezës së ndërrimit të viteve, por Liria këtë vit nuk e ka të mundur.
Ajo shpreson se vitet e tjera nuk do ti mungojë më traditës disavjeçare.
"Do ta bënim në shtëpi, por boll që do të dal e shëruar. Për këtë jam e kënaqur."
Megjithëse jo fizikisht me familjen, këta pacientë do të bëjnë gëzuar përmes celularit këtë 31 dhjetor.
"Nuk ka problem, e kam telefonin këtu. Më kanë dërguar fëmijët karafila nga Franca."
Pavarësisht luftës për jetën që zhvillohet çdo minutë brenda mureve të spitalit Infektiv, aty nuk mungojnë elementët dekorativë të festave për të sjellë sadopak gëzim dhe shkëlqim festiv.
Me një familje të madhe si ajo e stafit të spitalit Infektiv, me dëshirën për të festuar vite të tjera në shtëpi dhe me shpresën se të gjithë do t'ja dalim, pacientët urojnë të gjithë shqiptarët që viti 2021 të jetë më i mirë dhe pa sfida.