Rama tregon ku ndahet me Vjosa Osmanin: Nuk fitohet lufta diplomatike me Serbinë duke bërë politikë të brendshme me politikë të jashtme
Vjosa Osmani, ushtruesja në detyrë e presidentit të Kosovës, kërkoi gjatë vizitës së saj në Tiranë që dy shtetet shqiptare të unifikojnë politikën e jashtme dhe Shqipëria të jetë zëri i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë ku ajo nuk ka akses.
Këtë kërkesë ajo e argumentoi me luftën e vazhdueshme dhe lobimin e Serbisë në selitë diplomatike për të tjetërsuar të vërtetën e Kosovës.
Por kryeministri Rama e sheh të gabuar qasjen e Osmanit ndaj duke folur gjatë konferencës për gazetarët pati edhe një këshillë për të.
Rama: Është konceptuale dhe në funksion të nevojës për të kaluar në një dimension tjetër të luftës diplomatike me Serbinë. Nuk fitohet lufta diplomatike me Serbinë duke bërë politikë të brendshme me politikën e jashtme dhe politikë të jashtme me politikën e brendshme dhe duke ardhur në Tiranë dhe duke rrotulluar thikën e nacional-folklorizmit vulgar.
Lufta diplomatike bëhet me mjete krejt të tjera nga mjetet e luftës përpara sesa të fitohej liria dhe facebook, Instagram, deklaratat nuk zëvendësojnë pushkët dhe nuk përdoren si pushkë, as si topa, as si mitroloza, as si granata, as si bomba se thjesht lëndojnë dhe plagosin vetëveten, nuk lëndojnë dhe plagosin kundërshtarin apo konkurrentin në fushën e luftës diplomatike.
Me atë formë ne kurrë nuk do të kishim hapur dot linjën e energjisë së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Vlen 1000 herë më shumë hapja e asaj linje sesa 1001 deklarata pseudopatriotike dhe pseudofolklorike.