Ish presidenti kroat feston 86-vjetorin e lindjes, Meta: Jetë të gjatë, mik i ditëve të vështira
Ish-presidenti i Kroacisë dhe një ndër miqtë më të mirë të shqiptarëve Stjepan Mesiç feston sot 86-vjetorin e lindjes.
Në një ditë të tillë nuk mund të mungonte urimi i presidentit Ilir Meta, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale vlerëson figurën e tij dhe kontributin e dhënë në rajon dhe veçanërisht gjatë luftës në Kosovë.
"Faleminderit, me mirënjohjen më te thellë për gjithçka që keni bërë për Shqipërinë, Kosovën dhe miqësinë shqiptaro-kroate!", shkruan Meta ndër të tjera në mesazhin e tij.
Urimi i plotë i presidentit Meta:
Urimet më të përzemërta me rastin 86-vjetorit të lindjes, Presidenti Stjepan Mesiç, burrështetasi i shquar kroat, miku i pazëvendësueshëm i kombit tonë, avokati i palodhur dhe zëri i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo në rajon.
Mirënjohje për kontributin e vyer dhe të paharruar të dhënë për kombin shqiptar, në momentet më të vështira, në kohën kur dhuna dhe terrori i regjimit të Millosheviçit përgatiste dramën e madhe të Kosovës e të gjithë Ballkanit dhe kur ju me kurajë e vendosmëri të pashembullt i kundërshtuat botërisht këto përpjekje kriminale, që shkaktuan një nga luftërat më të përgjakshme në zemër të Europës.
I vendosur qartë dhe prerë kundër masakrave, ndarjeve dhe spastrimit etnik në rajon, ju keni spikatur, sikundër vazhdoni edhe sot, në mbrojtje të kauzës së drejtë të Kosovës, Lirisë dhe Pavarësisë së saj, mbrojtës i integritetit të saj territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Faleminderit, me mirënjohjen më te thellë për gjithçka që keni bërë për Shqipërinë, Kosovën dhe miqësinë shqiptaro-kroate!
Ju uroj një jetë sa më të gjatë e të shëndetshme, urim që buron nga zemra e çdo shqiptari patriot, i cili nuk i harron kurrë miqtë e ditëve më të vështira!

