Kur do ta kemi vaksinën anti-Covid? Mjeku: Nuk kemi datë, është një luftë e madhe kundrejt shteteve të fuqishme

Shqipëria shpreson se do të mund të sigurojë vaksinën anti-Covid brenda tre mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Ky të paktën është angazhimi i programit COVAX, pjesë e të cilit është vendi ynë.

Mjeku epidemiolog, Dritan Ulqinaku, duke folur për "Ditë e Re" në Rtv Ora thotë se një datë konkrete nuk ka, teksa nënvizon është një luftë e madhe e shteteve të vogla përballë atyre të mëdha që kanë edhe fuqi ekonomike.

Siç thotë mjeku, në një situatë gati absurde, synimi i çdo shteti është të vaksinojë 100% popullësinë e vet.

Ulqinaku: COVAX ka dërguar një letër në Ministrinë e Shëndetësisë ku garanton se për tre muajt e parë të vitit 2021 do furnizojë vendin tonë me vaksina, nuk kemi një datë akoma. Përpjekjet janë të përditshme dhe të përorëshme. Na kuptoni drejt, është një luftë shumë  e madhe kundrejt shteteve shumë të fuqishme të cilat realisht nuk është se po bëjnë një politikë populiste në krahasim me vendet e tjera. Secili synon që të vaksinojë qoftë dhe 100% popullatën e vet dhe kjo nuk ka sens, dhe kjo e vështirëson gjetjen në kohë të vaksinave. Ne jemi në gjueti për të gjetur ndoshta të parën vaksinë që është e certifikuar dhe e sigurt. Jemi të hapur kundrejt çdo vaksine që mund të kemi akses dhe është e certifikuar dhe e sigurt.

Ndërsa vaksina është e vetmja shpresë për të siguruar mbrojtjen nga virusi mbetet e paqartë nëse ajo do ti japë fund pandemisë.

Ulqinaku: Shpresoj të jetë kështu por shifrat do të tregojnë të vërtetën. Nëse i referohemi Anglisë që ka filluar vaksinimin e para, ka filluar fushata e vaksinimit, vaksinimi masiv por shifrat po pësojnë rritje. Prova e të vërtetës është një muaj pas aplikimit të vaksinës.

Mjeku epidemiolog është optimist se viti i ardhshëm do të jetë më i qetë në krahasim me këtë që po lëmë pas por nënvizon se bashkëjetesa me virusin do vijojë me vite.

Ulqinaku: Shpresojmë që në 2021 të jetë një situatë shumë më normale por bashkëjetesa me Covid-in mund të vazhdojë për disa vite. Varianti i ri i zbuluar në Angli ka vënë botën në alarm që ndoshta dhe 2-3 muajt e parë do të vazhdojnë një ermergjencë mbarëbotërore. Shpresojmë të mos zgjasë më tepër. Por besoj që 2021 do të jetë më e qetë 2020.

LEXO EDHE: Hyn në fuqi ndalim-qarkullimi nga ora 20:30, mjeku: Virusi është tek ne, po merr jetë, nuk është koha për të festuar

Intervista në studio me moderatorët Arjola Shehu dhe Arjon Muça, përgatiti për online Besjana Kuçana