Vrasja e çiftit Pasho, burime për Rtv Ora: Ish e fejuara e Taulantit merret sot në pyetje nga Prokurori
Dita e sotme pritet të sjellë zhvillme të reja në ngjarjen e vrasjes makabre të çiftit shqiptar Shpëtim e Teuta Pasha, trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar e të mbyllur në katër valixhe të hedhura përgjatë murit rrethues të perimetrit të burgut të Solleccianos ku vuante dënimin djali i tyre Taulanti e në afërsi të autostradës Firenze-Piza.
Rtv Ora ka mësuar se e akuzuara Elona Kalesha, 36 vjeçe, e vënë në masë ndalimi nga autoritetet gjyqësore me akuzën e vrasjes e fshehjes së trupave të çiftit Pasho do të merret sot në pyetje nga Prokurori i hetimeve paraprake të çështjes.
Në orën 10.30 të paradites së sotme, Elona Kalesha, ish e fejuara e Taulant Pashos, do të japë versionin e saj mbi akuzat e rënda si dhe do t'iu përgjigjet disa pyetjeve kyçe për ngjarjen: A është ajo personi i fundit që është takuar me çiftin Pasho? Kush është personi i fundit që ajo ka deklaruar se është takuar me ta? A është në dijeni të parave të zhdukura? E si i përgjigjet ajo rrëfimeve të fqinjëve se një vajzë shqiptare me karateristikat fizike të saj është parë të dalë me dy valixhe që kullonin gjak nga apartamenti ku jetonin Shpëtim e Teuta Pasho?
Prej datës 22 dhjetor kur u vu në masë ndalimi, Elona Kalesha ndodhet e mbyllur në burgun e Firenzes.
Ajo nuk ka pranuar të flasë, duke zgjedhur rrugën e heshtjes deri sa të merret në pyetje nga prokurori i çështjes.
Avokati i saj eskluzivisht për Rtv Ora ka deklaruar se "Elona është e shokuar, e suprizuar nga akuza e se nuk ka lidhje me këtë krim makabër."
Rtv Ora ka zbardhur gjithashtu se Policia Shkencore ka përfunduar analizimin e provave në apartamentin ku çifti Pasho jetuan para zhdukjes.
Gjatë ditës së djeshme një grup pune i policisë shkencore ka ekzaminuar të gjithë ambientin e këtij apartamenti në kërkim të gjurmëve të gjakut e gjurmëve të tjera organike që do të mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Gjatë orëve të ardhshme pritet raporti i Policisë Shkencore mbi këtë apartament.
Në tetor të 2015 apartamenti i çiftit Pasho, i cili gjëndet në lagjen "Novoli" u mor me qera me një kontratë të firmosur nga Elona Kalesha për të banuar prindërit e ish të fejuarit të saj Taulant Pasho.
Në këtë banesë jetuan për pak kohë Shpëtim e Teuta Pasho, të cilët mbërritën enkas nga Vlora në Firenze për të pritur e takuar djalin e tyre, i cili do të dilte nga burgu ku ishte akuzuar për trafik lëndësh narkotike.
Ndërkohë ende nuk ka informacione nëse Taulant Pasho, ish i fejuari i Elona Kaleshas e djali i çiftit të masakruar, prej tetorit të 2020 ndodhet në burgun Baden të Zvicrës i akuzuar për grabitje.
Deri më tani nuk është marrë në pyejtje nga autoritetet italiane, një zgjedhje ndoshta taktike ose një jo prioritet i momentit për prokurorët e çështjes që mesa duket po zgjedhin një rrugë tjetër hetimi.
Taulant Pasho ka ende hesape të hapura me drejtësinë italiane. Ai duhet të vuajë ende 3 vite e 11 muaj burg për akuzat e trafikut të drogës, dënim që nuk e kreu pasi u zhduk nga territori italian më vititn 2016.