Një tjetër alarm e hetim në Policinë e Shtetit
Iniciativa për një hetim tërësor administrativ të forcave policore “Shqiponja”,është i mirëpritur në opinion për më tepër në situatën e krijuar nga vrasja makabre e të riut Rasha.
Por nuk është ky intensioni i shkrimit tim. Mendoj se ky lloj hetimi duhet të shtrihet dhe në struktura të tjera të Policisë së Shtetit. E konkretisht e kam fjalën për policinë e kufirit.
Në fakt është policia me aprofesionale fizikisht, teknikisht dhe më e keqja dhe mendërisht në një % jo të ulët.
Kufiri e dogana në të gjithë botën e civilizuar janë pragu i parë i imazhit të një shteti. Tek ne ndodh e kundërta. Në dogana sidomos në veri të vendit ndeshesh me policë të privuar nga ç’do fakultet mental e normal, pa sjellje njerëzore e lëre pastaj profesionale, me uniforma e komportim që do ta refuzonte edhe një bari…
Kjo është e pafalshme ndaj duhet urgjentisht një hetim e kontroll deri psikik i këtij personeli pasi deskrediton pa të drejtë edhe atë pjesë të shëndoshë të policisë…e në fund të fundit që të gjithë paguhen me taksat tona.
Kam gjithë mundësitë ta shoqeroj alarmin tim me video e foto por kjo nuk është zgjidhja. Zgjidhja është hetimi dhe rikonstruktimi i kësaj pjese të policisë e cila në heshtje jo vetëm deskrediton shtetin por jo në pak raste bashkëpunon me krimin pasi në dogana kalon krimi dhe kriminelët.
Ky vërtet është një konstatim i dhimbshëm që qytetarët e ndeshin ç’do ditë, qofshin shqiptarë apo të huaj por më i dhimbshëm është fakti që këta identifikohen me shtetin dhe me qytetarët e këtij vendi.
Une si aktiviste shoqërore personalisht nuk kam asnjë mëri apo eksperiencë personale por jam dëshmitare e përditeshme e këtij imazhi mizerabël kundrejt qytetarëve i cili duhet jo vetëm të hetohet por të stopohet sa nuk është vonë.