AMT protestë para ministrisë së Brendshme, kërkohet dorëheqja e Ardi Veliut

“Nuk kemi shkelur një milingonë gjëkundi. Është më paqësorja në rruzull kjo që kemi bërë ne dhe megjithëatë e hëngrëm një dorë dru.”

Artistët kanë tubuar edhe sot para Ministrisë së Brendshme për të dënuar dhunën e ushtruar, sipas tyre në ndalimin e aktivistëve. Në shenjë revolte ata vendosën para hyrjes së Ministrisë së Brendshme një banderolë me mbishkrimin “Skenë krimi” për të dënuar sjelljen e frocave të rendit.

“Shteti nuk ka turp. Rrahu ata kalamajtë dhe i shkepi në dru se ata shkatërrun pronën publike, sipas këtyre, ndërsa këta tanët i morën dhe i rrahën se mbrojtën pronën publike.”

Protesta do të vazhdojë në çdo ditë, ndërsa aktorët, regjizorët dhe artistë shprehen se shkaktarë për dhunën janë drejtuesit e policisë.

“E gjitha tregon që kjo polici është kthyer në një polici politike dhe nëse ne nuk çlirohemi nga kjo polici politike, do të thotë që edhe zgjedhjet ne i kemi të rrezikura, sepse kët njerëz do të bëjnë gjithçka që të mbajnë partinë në pushtet dhe këta policë duhet të rrinë në punë.”

4 aktivistët u ndaluan të shtunën nga policia teksa ishin duke bërë fotografi pranë sipërfaqes ku dikur ngrihej Teatri Kombëtar. Pasi u ndaluan nga policia ata akuzuan se u dhunuan në komisariatin nr. 1.