PE kërkon nga 5 vendet e BE-së që të njohin Kosovën

Parlamenti Europian sërish i bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që të njohin sa më shpejt shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Projektraporti i Komisionit të Politikës së Jashtme i përgatitur nga raportuesja për Kosovën, Viola fon Kramon, i drejtohet Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros.

“Pesë shtetet anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsëritet thirrja ndaj atyre që ta bëjnë këtë. Njohja do të ishte edhe në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë,” thekson dokumenti.

Në projektraport thuhet se vendi vazhdon të vuajë nga mungesa e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të kaluar.

Një pjesë e konsiderueshme i kushtohet rinisjes së dialogut me Serbinë, normalizimit të raporteve dypalëshe dhe mundësisë së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që shihet si faktor kyç në qëndrueshmërinë e përgjithshme të rajonit.

Nga Kosova kërkohet që të adresohen më mirë problemet në fushën e sundimit të ligjit, respektimi i të drejtave themelore, funksionimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe mjedisor, ndërsa shprehet keqardhje për mbylljen e task-forcës antikorrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Projektraporti nënvizon se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, por vazhdon të jetë i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që nuk po përfiton nga lehtësirat e zonës Shengen.

Dokumenti për Kosovën analizon periudhën dyvjeçare dhe pritet të debatohet në Parlamentin Europian para miratimit në formën e një rezolute.